Subscribe

Nga Enkelejda Mema 

 

Si kundërpërgjigje ndaj opozitës, Partia Socialiste kërkon të ndryshojë rregulloren e kuvendit.

 

Propozimi i Toni Gogut dhe Blerina Gjylametit për të rritur masën e ndëshkimit ndaj deputetëve “plangprishës” mori 74 votat në parlament që “ndryshimet” e kërkuara të bëhen me procedurë të përshpejtuar.

 

Socialistët kërkojnë t’i ndëshkojnë kolegët e tyre opozitarë edhe më shumë. Për ta 10 ditë janë të pamjaftueshme për të disiplinuar një deputet i cili hedh tymuese, ndez zjarr, përmbys karriget apo përplaset verbalisht e fizikisht me kundërshtarin e tij.

 

Për të gjitha këto PS kërkon që ndëshkimi të shkojë deri në 60 ditë përjashtim nga jeta parlamentare, pra 2 muaj pushim dhe pa rrogë.

 

Në propozimin e tyre për të cilin kryetari i grupit të socialistëve Bledi Çuçi thotë se i është referuar praktikave më të mira të parlamenteve në vendet evropiane, përcaktohet edhe se kur një deputet thyrës i rregullores duhet të ndëshkohet me 30 dhe 60 ditë.

 

Me një muaj përjashtohet kur përdor dhunë fizike, dëmton pajisjet që janë të domosdoshme për zhvillimin normal të një komisioni, seance parlamentare apo kur është përsëritës i shkeljeve.

 

Me dy muaj kur deputeti përdor lëndë piroteknike dhe mjete të tjera që mund të rrezikojnë shëndetin e ligjvënësve të tjerë. Ky ndëshkim është i vlefshëm edhe për rastet kur kryen veprime apo sjellje që cilësohen si shkelje penale.

 

Jo vetëm kaq, por socialistët kanë marrë masa që deputeti i përjashtuar t’i ndalohet të kryejë çdo aktivitet tjetër si anëtar i parlamentit.

 

Brenda pak javësh ky është propozimi i dytë i shumicës socialiste pas projektligjit për komisionet hetimore parlamentare./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *