Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i cili ndodhet në Prishtinë i ka bërë thirrje ligjvënësve të Kosovës, të ndërmarrin hapat e nevojshme për integrimin në organizatat ndërkombëtare. Gjatë fjalës së tij para deputetëve, Pahor tha se është e rëndësishme që Kosova të përmirësojë marrëdhëniet me fqinjët e saj.
“Në këtë aspekt kam ardhur në Kosovë si një mik i shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve dhe si një mik i të gjitha kombësive të tjera që jetojnë në Kosovë. Është tejet e rëndësishme për zhvillimin e Kosovës që t’i ruaj dhe fuqizoj të drejtat e komuniteteve. Pavarësisht problemeve është në rrugën e saj që t’i përmirësoj marrëdhëniet me fqinjët e saj.”
Presidenti slloven beri te qarte se vendi i tij mbështet përpjekjet e Prishtinës e Beogradit për zgjidhjen e problemeve të hapura, përmes negociatave të mbështetura nga Bashkimi Europian.
“Është e rëndësishme që të zgjidhen problemet dhe të thellohet bashkëpunimi i përgjithshëm. Po i jap vetes të drejtë që t’iu them vazhdoni dialogun dhe zbatoni problemet. Jo vetëm për zgjidhjen e problemeve të dy vendeve por edhe krijimin e një klime të mirë për tërë rajonin. Unë në përgjithësi e mbështes strategjinë e BE-së për zgjerimin me vendet e Ballkanit perëndimor dhe kërkesën për zgjidhjen e kufijve me fqinjët.”
Pahor inkurajoi gjithashtu deputetët të zgjedhin problemin me kufirin me Malin e Zi në mënyrë që Kosova të bëhet pjesë e BE-së.
“Sllovenia do t’iu ndihmojë. Përgjegjësi e BE-së është të hapë dyert. Është një detyrë e vështirë, por në fund njerëzit tanë shpërblehen. Vendet e rajonit duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që të arrihet një e ardhme më e mirë.”
Presidenti i Sllovenisë mbërriti të hënën në Kosovë, në prag të kremtimit të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Ai u prit nga presidenti Hashim Thaçi, me të cilin diskutuan për të ardhmen e rajonit.