Skënderbeu po kalon një periudhë fantastike në kampionat, teksa arrin të kryesojë i vetëm në renditje pas gjashtë javësh me pikë të plota. Korçarët kanë arritur të marrin gjashtë fitore në po kaq ndeshje, edhe pse në lojë nuk kanë shkëlqyer. Kampionët aktualë të Shqipërisë i ka favorizuar disi edhe kalendari teksa shumicën e ndeshjeve e kanë zhvilluar në Korçë, ndërsa ende nuk janë përballur me asnjë nga rivalët kryesorë për titull.

Por tashmë fillojnë vështirësitë për ekipin e drejtuar nga Andrea Agostinelli, teksa e presin 3 sfida tepër delikate. Bardhekuqtë do të udhëtojnë këtë të dielë për t’u përballur me Tiranën në “Selman Stermasi” në një ndeshje mjaft të vështirë duke parë edhe formën e mirë të bardhebluve. Në javën e ardhshme në kampionat do të presin një tjetër rival të fortë në Korçë siç është Kukësi, i cili gjithashtu këtë sezon ka si ambicie fitoren e kampionatit.

Mbyllja e fazës së parë përkon me super ndeshjen Partizani – Skënderbeu, e cila do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena”.  Një ndeshje e vështirë, duke parë ambicjet e të kuqve por edhe faktin se skuadra në përballjen e fundit do të vijë pas dy ndeshjeve tepër të lodhshme.

Gjithashtu do të shihet edhe se cili ekip do të ketë forcën të thyejë kampionët, që janë duke vazhduar marshimin drejt titullit të 7-të rradhazi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *