Skënderbeu  hedh një tjetër hap të madh drejt suksesit të radhës në volejbollin shqiptar për femra. Korçaret mundën Tiranën edhe në ndeshjen e dytë të finaleve të vlefshme për titullin e kampionatit kombëtar të Superligës.

Vajzat e trajnerit Orlando Koja fituan në kryeqytet 3 me 1, ndërkohë që përballjen e parë në Korçë e kishin fituar 3 me 0.

Vajzat bardheblu e nisën fort takimin e zhvilluar në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, duke fituar setin e parë me rezultatin e thellë 25 me 14. Mirëpo suksesi i vajzave të kryeqytetit ishte vetëm një iluzion.

Kjo pasi Skënderbeu u kthye të fitonte setin e dytë me shifrat 25 me 21, duke ekuilibruar takimin. Dominimi i mikeshave vazhdoi edhe në setin e tretë, ku e mposhtën Tiranën me shifrat 25 me 18. Seti i katërt ishte shumë i fortë dhe mjaft emocionues, pasi Tirana u përpoq shumë për të përmbysur edhe njëherë tjetër situatat në favorin e vet, por nuk ia doli dot mbanë.

Skënderbeu fitoi 25 me 23, duke e mbyllur takimin me rezultatin 3 me 1.

Tani vajzat juglindore janë një fitore larg trofeut më të rëndësishëm në vend në volejboll, titull që mund ta sigurojnë nëse fitojnë ndeshjen e tretë kundër Tiranës në datë 27 prill në Korçë. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *