Skuadra kampione e Shqipërisë ndryshe nga vitet e tjera këtë verë do ta zhvillojë fazën përgatitore në Greqi. Këtë lajm e pohojnë burime brenda drejtuesve të klubit kampion, ndërkohë që ka mbetur për t’u konfirmuar vetëm qyteti se ku do të zhvillohet faza një mujore.

 

Grumbullimi i Skënderbeut do të fillojë në datën 5 korrik dhe skuadra e trajnerit Orges Shehi do ta fillojë këtë grumbullim në qytetin e Korçës. Në juglindje të vendit Skënderbeu do të qëndrojë rreth 10 ditë dhe në mes të muajit korrik, bardhekuqtë do të marrin rrugën drejt shtetit helen.

 

E sigurtë është që kushtet në Greqi janë super dhe Skënderbeu do të zhvillojë një tjetër fazë model përgatitore për të qenë gati në mes të gushtit, kohë kur do të fillojë edhe superliga e re 2018-2019.

 

Kujtojmë që skuadra korçare në 8-të vitet e fundit ka zhvilluar faza luksi në Austri, Slloveni, Spanjë, Portugali, apo edhe në shtete të tjera, ndërkohë që këtë verë gjithçka do të jetë ndryshe pasi skuadra do të shpërngulet në Greqi. Edhe përpara dy sezonesh Skënderbeu ishte njëherë në Greqi për fazë përgatitore dy javore dhe është hera e dytë që ndodh një gjë e tillë me kampionët e superligës shqiptare. Përsa i përket afrimeve, klubi po sheh me kujdes përforcimin e ekipin dhe në këtë drejtim janë duke u mbyllur bisedimet me dy lojtarë, ku njëri është sulmues dhe tjetri mesfushor.

 

Të dy futbollistët në fjalë do të jenë të huaj dhe drejtuesit e Skënderbeut janë duke biseduar për të mbyllur marrëveshjen sa më shpejt të jetë e mundur me qëllim që Shehi ti ketë gati këta lojtarëq me fillimin e fazës përgatitore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *