“Skema në bujqësi për votat e PS”, Berisha: Rama ofroi 200 milionë euro garanci sovrane për kredi të buta për fermerët
Kryetari i PD Sali Berisha akuzoi sot kryeministrin Edi Rama se përdori skemat mbështetëse në bujqësi për të siguruar mbështetje në zgjedhje për Partinë Socialiste.
Në një konferencë me gazetarët, Berisha deklaroi se këtë vit vendosi 200 milionë euro garanci sovrane për kredi të buta
“Njeriu që shkatërroi bujqësinë shqiptare, njeriu që shkatërroi blegtorinë në kuptimin pothuaj të përgjysmimit të krerëve, dhe si shkak rënia dramatike e prodhimit të qumështit dhe prodhimeve të tjera blegtorale bujqësore, u kujtua në vitin elektoral të shpërndajë 200 milionë euro garanci 70 përqind të kredive të buta për fermerët. Natyrisht jo për fermerin e vërtetë, por për fermerët e qeverisë, për fermerët e lidhur me qeverinë dhe kundrejt shpërblimeve të mëdha në vota”, tha Berisha.
Sipas Berishës edhe skema e subvencioneve në bujqësi u përdor në favor të PS, ndonëse Kodi Zgjedhor ndalon shpërndarjen e parave në periudhën 4 muaj para zgjedhjeve
“Ligji elektoral e konsideron krim këtë aktivitet në periudhë elektorale. Kështu që 200 milionë euro për garanci sovrane dhe 44 milionë euro për projekte si grante kane një peshë të jashtëzakonshme në mbledhjen e votave nga fermerët”, shtoi Berisha.
E ndërsa PD vazhdon të denoncojë procesin e 11 majit, beteja ligjore për zgjedhjet parlamentare duket se po shkon drejt fundit.
Këtë javë Kolegji Zgjedhor jep vendimin për 4 qarqet e fundit ku PD kërkon që të përsëriten zgjedhjet e nëse gjyqtarët rrezojnë pretendimet e opozitës siç kanë vepruar me 8 qarqet e tjera, atëherë javën e ardhshme pritet të shpallet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve.
/vizionplus.tv




