Skema Kombëtare e Mbështetjes për Fermerët do të jetë gati brenda javës tjetër.
“Jemi duke hartuar skemën sipas dëgjesave që kemi bërë me fermerët. Nuk kemi arritur akoma të dalim me një skemë të re. Pra, kjo do të thotë që sot ne nuk mund të themi një skemë konkrete, fikse, pa dalë në konkluzionet përfundimtare. Besoj që deri javën që vjen do të mbyllim të gjithë skemën përfundimtare të mbështetjes”, u shpreh Andis Salla, ministër për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural
Këtë vit, ajo do të vijë me disa ndryshime, duke përfshirë dyfishimin e mbështetjes për bletarinë.
“Fermerët na kanë kërkuar që nga 1.000 lekë për koshere ta kalojmë në 2.000 lekë. Është një kërkesë e tyre. Ne kemi pasur një reflektim ndaj këtij sektori për ta ndihmuar dhe për ta çuar në një dyfishim të bletarisë, pra të koshereve, duke e mbështetur në masën e dyfishtë krahasuar me vitin 2025. Ne këtu duhet të arrijmë që deri në 2027 të shkojmë në 1 milion koshere”, theksoi Salla.
Për ata që merren me peshkim, përveç naftës, do të ketë një masë të re mbështetëse.
“Ata kanë kërkuar që ne të kalojmë në një masë të re mbështetjeje në akuakulturë, përveç naftës që marrin për daljen në det për peshkim, por të kalojnë edhe nëpërmjet akuakulturës apo mbështetjes që ne u japim zonave që prodhojnë rasate, si dhe mbështetjes që duhet t’i japim këtij sektori, për të cilin jemi duke reflektuar për të hapur një masë të re mbështetjeje ndaj sektorit të akuakulturës”, tha Andis Salla.
Për të rinjtë që duan të përfitojnë 7-10 mijë euro për investime në blegtori, gjatë diskutimeve në Komisionin për Bujqësinë u shpjegua se kriter do të jetë që aplikuesit ta njohin sektorin. Po ashtu, ministri përsëriti edhe se fondet e IPARD-it pritet të zhbllokohen brenda këtij viti./vizionplus.tv





