Subscribe

Kryeministri Edi Rama nuk sheh asnjë rrezik për negociatat që mund të kushtëzohen nga Gjermania për shkak të përplasjeve për reformën zgjedhore. Gjatë një interviste për DW, kryeministri tha se për ndryshimet kushtetuese është zgjedhur modeli i duhur për Shqipërinë

 “Gjermania është një vend demokratik, ka vend për të gjithë zërat. Ajo që unë besoj është që në konkluzion, ne kemi bërë gjënë e duhur për vendin tonë, kemi bërë gjënë e duhur për sistemin tonë zgjedhor, kemi bërë gjënë e duhur edhe në funksion të ambicies tonë për të konsoliduar më tutje procesin zgjedhor dhe procesin demokratik dhe jam i bindur që pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme që janë absolutisht legjitime, kjo nuk do të përbëjë asnjë arsye për të pasur ndonjë rezervë për Shqipërinë”, tha Rama. 

 

Kryeministri u pyet edhe për ligjin antishpifje, ku nënvizoi se do të merren në konsideratë rekomandimet e komisionit të Venecias.

“Gjermania ka një nga ligjet më të fortë kundër shpifjes dhe faktikisht ne do dëshironim që të kishim një ligj që të bazohet në modelin gjerman, por duke qenë se ne jemi një vend shumë më i vogël se Gjermania dhe me shumë më pak zë sesa Gjermania nga miqtë tanë në Këshillin e Europës apo në OSBE, na u tha që ne nuk mund ta aplikojmë ligjin gjerman, sepse do të ishte një ligj i rrezikshëm për Shqipërinë. Kjo është bota ku jetojmë. Ne kemi bërë një ligj që është absolutisht i domosdoshëm.  Do të marrim në konsideratë rekomandimet e Komisionit të Venecias, por Shqipërinë si vatrën më të nxehtë të shpifjeve, ne nuk do ta lëmë”, u shpreh Kryeministri. 

Gjatë qëndrimit në Gjermani, Rama u takua me një grup përfaqësuesish të Bundestagut dhe sektorit privat për të diskutuar për zhvillimet politike dhe ekonomik. Ai hodhi poshtë zërat për një takim me kancelaren Angela Merkel.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *