Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha shfrytëzoi një takim me studentët e mjekësisë për të shpjeguar vizionin e tij për kujdesin shëndetësor.
Premtimi i parë i Berishës për këtë sektor është dyfishimi i buxhetit dhe hapja e një fakulteti të dytë mjekësie për të luftuar largimin e bluzave të bardha.
“Kështu që ne zotohemi të dyfishojmë rrogat për mjekët dhe infermierët. Çfarë bëri Hungaria kur ra Covid-i? Çoi rrogat e mjekëve të vet të afërta me gjermanët, se po iknin në Gjermani ata”, tha Berisha.
Berisha premtoi një politikë të re në raport me barnat.
“Importojmë vetëm ilaçe që shiten në dy vende të BE, pra që janë të miratuara nga enti evropian ose amerikan i medikamenteve”, tha kreu i Pd.
Berisha akuzoi rivalin politik Rama se dështoi të mbajë premtimin për shëndetësi falas.
“U premtua shëndetësi falas. A e dini ju se INSTAT, që kontrollohet nga qeveria, njoftoi një javë më parë se shqiptarët paguajnë në vit 820 milionë euro për kujdesin shëndetësor nga xhepi i tyre”, tha Berisha.
Sipas Berishës situata në spitale sot është alarmante.
“Situata në spitale është çnjerëzore. Është në terrenin e krimeve kundër njerëzimit. Pse është kjo? Sepse të sëmurët në spitalet tona vdesin nga mungesa e ilaçeve për të mjekuar sëmundjet e tyre të rënda”, shtoi kreu i opozitës.
Gjatë takimit me studentët Berisha premtoi anulimin e ligjit që detyron ata që përfundojnë fakultetin e mjekësisë të punojnë në Shqipëri për një periudhë të caktuar kohe./vizionplus.tv