Situatë alarmante nga zjarri në parkun kombëtar “Lurë-Mali Dejës”, ndërhyrja nga ajri e vështirë për shkak të tymit

Situata e zjarrit në parkun kombëtar “Lurë-Mali Dejës” vijon të mbetet kritike. Janë qindra hektar pyje halore të përshkuara dhe djegura nga zjarri i cili ka nisur tashmë prej afro 20 ditësh.
Ndërhyrjet nga toka dhe ajri kanë qenë thuajse të paefektshme për shkak se nuk është mundur që të izolohet vatra e zjarrit.
Deri tani zjarri ka përshkuar më shumë se 400 ha pyje nga fshati Gurë-Lurë, Zall Gjoçaj e deri në Mas Dejë.
Sipas strukturave të mbrotjes civile në prefekturën Dibër, në vatrën e zjarrit poshtë liqenit të Hotit që bashkohet me basenin dhe mbi fshatin Gurë-Lurë zjarri është vënë nën kontroll dhe po mbahet nën monitorim nga 23 forca ushtarake, 5 efektiv zjarrfikës, 20 punonjës të Bashkisë Dibër, 10 punonjës e vullnetarë nga Njësia Administrative Lurë, drejtues të A.K.M.C, si dhe drejtuesi i Emergjencave Civile të Prefekturës.
Po ashtu është planifikuar që të ndërhyhet nga ajri, por për shkak të tymit që ka mbuluar zonën, ndërhyrja është e pamundur.
Terreni është shumë i vështirë dhe nuk mund të ndërhyhet as me forca tokësore.
Sa i përket zjarreve në parkun natyror “Ulëz-Shkopet”, vatra e zjarrit në luginën e Shkopetit është fikur plotësisht një ditë më parë, por u riaktivizua pasditen e sotme në afërsi të tunelit të madh, ndërsa po luftohet për të fikur vatrën tjetër që është në kufirin ndarës mes Matit, Mirditës dhe Kurbinit./vizionplus.tv



