As tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, deputetët nuk kanë gjetur dakordësi për konstituimin e Kuvendit.
Edhe në seancën e 12 që u mbajt këtë të mërkurë, procesi dështoi me Albulena Haxhiun emër i propozuar nga Vetëvendosje, e cila nuk mori votat e mjaftueshme për tu zgjedhur.
Seanca e fundit vjen pas disa lëvizjeve nga subjektet politike për të gjetur një zgjidhje. Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti i dërgoi dy ditë më parë një ftesë Lidhjes Demokratike të Kosovës për të bashkëqeverisur.
Ftesa u refuzua nga LDK e cila tha se nuk do të bashkëpunonte me Albin Kurtin, por iu kërkoi partitë e tjera shqiptare të nisin diskutimet për një qeveri tranzitore.
Analisti Naim Rashidi në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus me moderatorin Aleksandër Furxhi, tha se mund të arrihet edhe deri në 20 seanca të dështuara.
Rashidi deklaroi se subjektet politike duhet t’i kërkonin ndihmë më herët Presidentes për konsulta gjithëpërfshirëse.
Sa i përket udhëtimit të Vuçiç në Kosovë, analisti u shpreh se për herë të parë nuk është nën presion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Intervista e plotë:
12 dështime, asgjë nuk po ndryshon. Çfarë mund të thuhet?
Rashidi: E para, jam i bindur që do të kemi shumë seanca të tilla, do të arrijmë ndoshta edhe numrin 20. Megjithatë, ka shenja se me lëvizjet që ka bërë Vetëvendosja me ftesën për LDK-në, përgjigja e LDK-së, janë lëvizje që ngacmojnë një proces konsultash politike. Kjo duhet të ndodhte edhe më herët, që subjektet vetë t’i kërkonin ndihmë Presidentes për konsulta gjithëpërfshirëse. Gradualisht, konsultimet pastaj edhe do të rrjedhin, do të zgjasin me javë, por do të ofrojnë një zgjidhje, qoftë edhe të përkohshme.
Po sot, Parlamenti Evropian ka miratuar rezoluta në lidhje me Kosovën dhe Serbinë, ku janë të njëjtat fraza për dialogun. Përcillen apo nuk përcillen në ambientet politike të Kosovës këto lloj rezolutash?
Rashidi: Janë dy aspekte që kanë sjellë zhvillime dramatike në raportet Kosovë-BE. E para, zhvillimet politike brenda Kosovës nuk janë shumë të këndshme sa i përket bashkëpunimit me BE-në, por edhe BE-ja nuk ka arritur dot që të vendosë një politikë të re në raport me Ballkanin Perëndimor, e në veçanti me Kosovën. Por shkoj edhe më tutje, duke i vendosur sanksione Kosovës. Marrëdhëniet e Kosovës janë shumë të këqija me BE-në. Duhet të ketë një dialog të ri. Sa i përket rezolutave të BE-së, janë ata vetë që kryesisht i injorojnë rezolutat e Parlamentit Evropian, qoftë në raport me Kosovën, qoftë me Serbinë. Fatkeqësisht, institucionet e BE-së nuk kanë avancuar politikën, marrëdhëniet, diskutimet.
Vuçiç po udhëton drejt Kosovës, nën një presion nga Perëndimi dhe nga Moska. Një opinion tuajin?
Rashidi: Ndryshe nga herët e kaluara, nuk është në presion të SHBA-ve. Dhe kjo është një dallim i rëndësishëm. Është në një lloj kritike të BE-së, por kritikë e padëmshme. Është në vijën politike të tij. Është në terrenin e vet.
/vizionplus.tv





