Situata nga koronavirusi në rajon/ Kosova raporton sot 3 viktima

Maqedonia e Veriut shënoi sërish një rritje të numrit të viktimave 24 orët e fundit. 9 persona të cilët vuanin edhe nga sëmundje të tjera shoqëruese humbën jetën, ndërsa janë regjistruar edhe 150 raste të reja të infektuarish.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në vendin fqinj, Shkupi vijon të mbetet qendra e infeksionit.
Aktualisht Maqedonia e Veriut është një ndër vendet më të prekura nga koronavirus në Ballkan, ku deri më tani ka 3.393 raste aktive me koronavirus.
Por edhe Kosova shënoi 3 viktima nga Covid-19, persona të cilët vuanin edhe nga sëmundje të tjera të rënda.
Kosova ndërkohë ka aktualisht 97 raste të pacientëve të shtruar në spital, prej të cilëve 45 persona janë në terapi intensive.
Edhe Serbia ka regjistruar orët e fundit një shifër të lartë të të prekurve nga sëmundja, ndërsa orët e fundit 2 persona kanë humbur jetën, duke e çuar numrin total të viktimave në 227.
Më në kontroll situate nga koronavirusi paraqitet në Malin e Zi, Greqi dhe Bosnje Hercegovinë.




