Ndërprerja e reshjeve intensive të shiut ka sjellë një përmirësin të situatës në Qarkun Lezhë. Në Bashkinë Lezhë është ndërhyrë për largimin e ujit nga oborret e shkollave dhe disa bodrume pallatesh, aty ku paraqitet e nevojshme. Në Gjadër është rritur niveli i prurjeve të lumit duke përmbytur urën që lidh fshatrat Gramsh dhe Zojz me Gjadrin dhe është dashur ndërhyrja e shërbimeve mbështetëse të bashkisë për pastrimin e mbeturinave që kishin bllokuar urën. Zyra Vendore e Arsimit bën me dije se procesi mësimor po zhvillohet normalisht në të gjitha shkollat.
Në Bashkinë Kurbin, niveli i ujit në akset rrugore dhe në kanalet kulluese ka rënë, duke bërë të kalueshme të gjitha rrugët që kishin qenë të bllokuara një ditë më parë. Vijon puna për heqjen e dherave të rënë në rrugën Gallatë–Vinjollë, si dhe për riparimin e linjave elektrike në njësinë administrative Milot. Edhe në Kurbin, mësimi zhvillohet normalisht në të gjitha shkollat.
Në Bashkia Mirditë raportohet një situatë e qetë. Shërbimet bashkiake po punojnë për largimin e inerteve nga rrugët urbane dhe ato rurale. Zyra Vendore e Arsimit Mirditë konfirmon se procesi mësimor po vijon pa ndërprerje. Shkarkimet nga HEC Qafë Mollë nuk kanë nisur ende, pasi prurjet janë vlerësuar të menaxhueshme.
Sipërfaqja e tokës bujqësore nën ujë në territorin e Bashkisë Lezhë llogaritet rreth 1 010 hektarë, e shpërndarë në disa njësi administrative, ndërsa në Bashkinë Kurbin sipërfaqja e përmbytur arrin rreth 2 000 hektarë, kryesisht në zonat e Fushë Milotit, Gjormit, Mamurrasit dhe Adriatikut.
Niveli i lumit Drin ka shënuar rënie të lehtë prej rreth 30 cm që nga mbrëmja e djeshme, duke u stabilizuar në kuotën 1.8 metra. Lumenjtë Mat dhe Droja janë në nivele mesatare dhe nuk paraqesin problematika. Probleme me energjinë elektrike raportohen vetëm në zonat malore të Kurbinit./vizionplus.tv





