E diel, 27 Shtator 2026 Film TV deri në 23:59 Në vijim ora 00:00: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Ekonomi

Sipërmarrësi tregon pse zgjodhi referencat dhe jo kontrollet në hotel

Blerim Norja përfaqëson një biznes turistik. Pas vendimit të qeverisë për të përcaktuar një minimum shfrytëzimi, për efekt tatimi, ai thotë se kjo masë nuk është pritur mirë nga bizneset e fushës, vecanërisht për periudhën vjeshtë-dimër.

Sipas tij, ky minimum konsiderohet i lartë për periudhën e  dimrit.

Gjatë një interviste në emisionin E-ZONE ai thotë se ka zgjedhur referencat në vend të kontrolleve.

“Referencat janë një masë jo e mirëpritur  nga ana e biznesve, kjo sepse në rast se gjatë periudhës pranverë-verë norma minimale e shfytëzimit është  e drejtë, gjatë kohës vjeshtë-dimër niveli prej 30 % konsiderohet një normë e lartë. Unë u detyrova të zgjedh referencat, pasi kontrollet janë të bezdisshme. Gjatë kohës së sezonit nuk ka ditë që të mos kemi kontrolle nga një inspektoriat, kur ndërkohë për ne kjo është një situatë aspak pozitive dhe ndikon negativisht në imazhin e turistëve. Ndaj u detyrova të pranoj referencat”, tha Norja në Vizion Plus. 

Vendimi i qeverisë parashikon dy alternativa, ose nivelin minimal të zhfrytëzimit ose kontroll të vazhdueshëm. Por pse qeveria u detyrua të marrë një vendim të tillë? Të dhënat flasin se Shqipëria është e fundit në rajon për shfrytëzimin e kapacitetit të njësive akomodouese.

“Ne gjatë periudhës së dimrit jemi në nivelin e 10-15% të shfrytëzimit të kapaciteteve, ndërsa qeveria e ka përcaktuar 30%. Kjo për ne konsiderohet e lartë. Mendojme se kjo situatë do të ndikojë negativisht, pasi në dimër një pjesë e hoteleve mbyllen dhe kjo do të na cënojë stafin që kemi, të cilin mezi po mbajmë gjatë kohës së dimrit, kur nuk kemi punë përgjatë zonës së Golemit”, tha Norja.

Viti 2024 ishte viti më i mirë sa i përket shifrave të turistëve të huaj. Të dhënat flasin se erdhën 11 milion turistë.

Por ky numër i rritur nuk po reflektohet edhe në shfrytëzimin e dhomave të hoteleve në të gjithë vendin, duke dëshmuar për informaliteitn e lartë në këtë sektor./vizionplus.tv

Më shumë video