Subscribe

Kjo është godina e Forcës së Posaçme Operacionale, pjesë e Policisë së Shtetit ku prej disa kohësh ka qëndruar pajisja e dyshuar se përdorej për përgjime. Ndërtesa e cila nuk identifikohet nga tabelat ndodhet fare pranë policisë bashkiake në Tiranë. Burime pranë Prokurorisë thanë se në këtë godinë janë bërë trajnimet e Interforcës, ndërkohë që pajisja është testuar dhe në terren, por ende nuk saktësohet nëse ajo është përdorur për përgjime. Për këtë, organi i akuzës ka lëshuar fletëthirrjet për disa agjentë, të cilët kanë qenë pjesë e trajnimeve, por edhe kanë testuar pajisjen. Vetëm pak kohë më parë në Prokurori dëshmuan 4 drejtues të policisë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako, Zv/drejtori Ardian Çipa shefi i operacionales së policisë Artion Duka dhe drejtori teknik i policisë Edmond Goga dhanë deklarimet për pajisjen. Drejtori i Përgjithshëm Cako shpjegoi se pajisja për të cilën ka nisur hetime Prokuroria, është vetëm për identifikimin e numrave të telefonit dhe përdoret kryesisht për gjurmimin dhe lokalizimin e të dyshuarve. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe zv/drejtori Ardian Çipa i cili mohoi përgjimin e numrave. Çipa tha për prokurorët se pajisja është përdorur vetëm në trajnimin e agjentëve të sektorit të operacionales. Vetë shefi i operacionales Artion Duka pranoi se agjentët e tij kanë përdorur këtë pajisje në trajnim, por që sipas tij shërben për identifikimin e numrave të individëve që janë në ndjeke nga policia. Nga vetë deklarimet e Dukës, pajisja ka qenë në ambientet e drejtorisë së tij ku oficerët janë trajnuar. Tashmë pritet marrja në pyetje e agjentëve të cilët do të zbardhin veprimet e kryera me pajisjen, e cila sipas opozitës përdoret në mënyrë të paligjshme nga policia.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *