Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbardhur dinamikën e kamionit me drogë nga Maqedonia në drejtim të Shqipërisë dhe daljen e tij drejt Italisë.

 

Sikurse mëson Vizion Plus nga hetimet e prokurorisë bie në sy fakti se kanë bërë të mundur që mjeti me targa maqedonase të mos i nënshtrohej kontrollit nga punonjësit e policisë kufitare në Qafë Thanë dhe devijimin e daljes së automjetit me drogë nga Porti i Durrësit.

 

Vizion Plus zbardh detajet e hetimeve te prokurorisë deri në prangosjen e policëve kufitarë dhe doganierëve:

 

Nga këqyrja e librit të shërbimit në Degën e Doganës Qafë Thanë Pogradec, ka rezultuar se në kohën kur janë ndjekur procedurat doganore për automjetin  kamion me targa maqedonase, me datë 05.02.2017, kanë qenë me shërbim në terminalin e dognës punonjësit doganor Ymer Blloshmi, me detyrë përgjegjës turni, Iliras Malja, me detyrë doganier pranim, verifikimi dokumentacioni, V. B., me detyrë doganier në hyrje.  Përpilimi i praktikës doganore për këtë automjet është bërë nga agjenti doganor Maliq Kadilli me datë 05.02.2017. Sipas praktikës doganore dokumentacioni i automjetit është bërë me destinacion dalje për tek dogana e Hanit të Hotit në Shkodër. Por, pasi automjeti ka lëvizur në territorin shqiptar agjenti doganor Maliq Kadilli në bashkëpunim me përgjegjësin e turnit, Ymer Blloshmi kanë bërë ndryshimin e destinacionit të daljes së këtij automjeti në Degën e Doganës Durrës.

 

I pyetur për këtë fakt agjenti doganor Maliq Kadilli ka deklaruar se për devijimin e destinacionit të daljes së kamionit është njoftuar nga agjenti doganor tjetër që nuk ndodhej atë ditë pushim, shtetasi Kastriot Topulli. Ky i fundi ka deklaruar se nuk është detyrë e tij të ndjek praktikën doganore të përpiluar nga agjenti doganor tjetër, por, me datë 05.02.2017, rreth orës 14:00, atë e ka telefonuar një person nga Dogana Durrës që ndodhej me shërbim duke i kërkuar ndryshimin e destinacionit të daljes së automjetit kamion targa maqedonase, me datë 05.02.2017, nga Dogana Durrës për në Itali.

 

I pyetur për këtë fakt përgjegjësi i turnit, shtetasi Ymer Blloshmi, ai ka deklaruar se ndryshimin e destinacionit të daljes së automjetit kamion të mësipërm nga Dega e Doganës Durrës për në Itali e ka bërë ai në bashkëpunim me doganierin Ilirjas Malja. Ndryshimet në sistem janë bërë nga doganieri Ilirjas Malja, megjithëse kjo procedurë ishte detyrë funksionale e doganierit të kontrollit fizik.

 

Nga hetimi ka rezultuar se dokumentacioni i automjetit në fjalë është kontrolluar në doganën Qafë Thanë nga doganieri Iliras Malja dhe më pas i ka kaluar kolegëve të tij për veprime të mëtëjshme doganore. Është bërë verifikimin e tendës së automjetit, e cila ka rezultuar e rregullt dhe më pas ka bërë plumbosjen e tij dhe pasi janë hedhur këto të dhëna në sistem, është lejuar automjeti që të lëvizë për në territorin shqiptar për në dalje tek dogana e Hanit të Hotit në Shkodër. Rreth orës 14:45, pas kërkesës së bërë nga agjenti doganor Maliq Kadilli, është bërë ndryshimi i destinacionit të daljes për tek Dogana Durrës. Të dhënat në sistem janë ndryshuar nga doganieri Iliras Malia.

 

Nga deklarimi i doganierit në hyrje, shtetasi V.B., ai ka deklaruar se me datë 05.02.2017, ai e ka marrë shërbimin si doganier në hyrje në orën 08:00 dhe ai  nuk ka kryer asnjë veprim në lidhje me automjetin në fjalë pasi në kohën e hyrjes së automjetit në doganë nuk ka qenë në punë. Me praktikën doganore të automjetit në fjalë janë marrë doganierët Iliras Malja dhe Ymer Blloshmi.

Nga këqyrja e librit të shërbimit të punonjësve të policisë që kanë qenë me shërbim në Stacionin e Policisë Portit Durrës, në kohën e daljes së dy  automjeteve me lëndë narkotike nga Porti Durrës për në Itali, me datë 05.02.2017 kanë qenë me shërbim punonjësit e policisë të gupit të kontrollit, shtetasi Gëzim Dervishi, me detyrë specialist i trajtimit të qenve të shërbimit, Mexhit XhixhaRoland MetaniAgron Kapllani,Gentian Selmani, me detyrë shoqërues qeni antidrogë, Medi Demiri, kontrollor,  Fatmir Plaku me detyrë ndihmës/specialist kontrollor. Ndërsa Shefi i Stacionit të Policisë Portit Durrës ka qenë shtetasi Julian Doraci.

 

Nga deklarimet e punonjësve të policisë kufitare tek Stacioni i Policisë Porti Durrës, si dhe nga provat e tjera të administruara, nuk rezulton që ato të kenë ushtruar kontrollin e automjetit kamion me targa maqedonase, me datë 05.02.2017, në kohën kur ai ka dalë i ngarkuar me lëndë narkotike nga Porti Durrës për në drejtim të Italisë. Punonjësi i policisë, Fatmir Plaku, i cili ka qenë personi përgjegjës për të bërë regjistrimin e automjetit në sistemin TIMS, e ka lejuar automjetin të kalojë për në Itali pa verifikuar hyrjen e shtetasit të huaj në Shqipëri që drejtonte automjetin të ngarkuar me lëndë narkotike, shtetasi maqedoans, Z.S, edhe pse nuk është i regjistruar në hyrje nga punonjësi i policisë kufitare të Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Thanë, Pogradec. Nisur nga veprimet e punonjësve të policisë kufitare, të doganës dhe të agjentëve doganor, Qafë Thanë dhe atyre të Portit Durrës dhe Doganës Durrës, konsiston mjaft mirë bashkëpunimi mes tyre për të realizuar kalimin e automjetit kamion të mbushur me lëndë narkotike nga Shqipëria në Itali.

 

Nga këqyrja e librit të shërbimit në Doganën Durrës, rezulton se me datë 05.02.2017, në kohën kur ka dalë automjeti kamion me targa maqedonase, nga Durrësi në Itali, i ngarkuar me lëndë narkotike, në atë kohë si doganier i kontrollit të eksportit në Durrës ka qenë shtetasi Edmond Luzi, i cili nuk e ka kontrolluar automjetin, por ka kontrolluar vetëm dokumentacionin e tij që ishte përgatitur nga doganierët e Qafë Thanës, nga ku është dukur qartë edhe devijimi i destinacionit të daljes së tij nga Dogana e Hanit të Hotit për tek Dogana e Durrësit, fakt ky që përbën një shkak risku për kontrollin e detyrueshëm të automjetit me mall të ngarkuar në të.

 

Nga rrethanat e mësipërme, rezulton se automjeti kamion me targa maqedonase, ka hyrë nga Maqedonia në Shqipëri i ngarkuar me lëndë narkotike, i cili ka kaluar pa ju nënshtruar kontrollit nga punonjësit e policisë kufitare që kanë qenë me shërbim në atë kohë si dhe duke u munduar që të fshehin gjurmët e dokumentimit të hyrjes duk mos e bërë regjistrimin e këtij kamioni. Në rolin e bashkëpunimit të këtij aktiviteti kriminal të trafikimit të lëndës narkotike kanë qenë edhe dy agjentët doganor, Maliq Kadilli dhe Kastriot Topalli, të cilët kanë ndihmuar për ndjekjen e procedurës për devijimin e destinacionit të daljes së automjetit kamion me lëndë narkotike nga Porti Durrës duke patur bashkëpunimin e doganierëve të Doganës Qafë Thanë dhe Durrës dhe të punonjësve të policisë kufitare për trafikimin e lendëve narkotike nga Durrësi për në Itali.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *