Subscribe

Artan Pinjolli nga Drenova e Korçës është një nga mijëra kredimarrës të sistemit tonë bankar. Ai ka marrë një hua 1 milion lekë në 2008, por sot duhet të paguajë 2.8 milion. Kjo shumë, nuk vjen nga normat e interesit, por nga kamatëvonesat dhe penalitetet që banka ka aplikuar.

 

“Mora 1 milion lekë kredi, likuiditet për biznesin, pasi isha në vështirësi financiare. Pagova rreth 200 mijë lekë detyrime, sipas kësteve mujore të parashikuara në kontratë.”– thotë Artani.

 

Por aktiviteti i tij ekonomik nuk shkoi sipas parashikimeve dhe falimentoi, çka u bë shkak që dosja e Artanit të klasifikohet tek kreditë e këqija.

 

“Banka më njoftoi disa herë për detyrimet që duhet të paguaja, por unë e kisha të pamundur. Pas 4 vitesh heshtje, më vjen një shkresë në shtëpi, nga një kompani financiare jo bankare, që më njoftonte se detyrimi arrinte ne 2.8 milion lekë.”– tregon më tej Artani.

 

Sipas kësaj procedure, banka ja ka shitur kredinë e tij një institucioni financiar jo bankar, proces ky që sipas tij, nuk ka marrë njoftim. Artani aktualisht është i punësuar në shtet, dhe kompania që ka blerë kredinë e tij, i lë një minimum jetik prej 19 mijë lekësh në muaj. Por më problematike është komunikimi dhe transparenca që ky kredimarrës ka me kompaninë jo bankare.

 

“Unë kam një numër telefoni të punonjëses, me të cilën komunikoj me mesazh, pasi ajo nuk më përgjigjet në telefon. Kam tentuar disa herë ta telefonoj, por nuk e hap. Unë sot dua të di sa kam paguar dhe sa detyrim kam për të paguar me tej, por këtë informacion nuk ma jep askush. Kam shkuar në Tiranë për të takuar punonjës të kompanisë, por askush nuk me pret, nuk di ku të ankohem.”– përfundon Artani.

 

Janë të shumta ankesat që kredimarrësit kanë ndaj bankave. Dhjetëra prej tyre janë regjistruar pranë Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Privat, si ndaj bankave, ndaj institucioneve financiare jo bankare, por edhe ndaj trupës përmbarimore. Ekspertët thonë se problemi i parë vjen nga vetë konsumatorët që nuk lexojnë kontratat, por edhe nga bankat që kanë nevojë të jenë edhe më transparente ndaj kredimarrësve.

 

Eksperti i ekonomisë, Ardian Civici, tregon se duhet të rritet kultura financiare e qytetarëve, të cilët nuk duhet të firmosin kontrata me sy mbyllur, pa u konsultuar më parë me një ekspert. Nga ana tjetër, sipas tij, banka ka të parashikuar në rregulloret e saj për informimin që duhet t’i bëjnë klientëve të saj, por mesa duket ka nevojë për më shumë mbikëqyrje nga ana e saj.

 

Aktualisht, kredimarrësi shqiptar mbetet i ekspozuar ndaj riskut të mundshëm, që vjen nga abuzimi që bëjnë bankat apo kompanitë financiare jo banka. Kuadri ligjor ka mangësi të theksuara, çka i bën bankat të jenë shumë herë më superiore në të drejtat që gëzojnë, ndaj kredimarrësve.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *