Këtë javë administrata tatimore njoftoi se ka nisur hetimin pasuror për 400 individë, që posedojnë mjete luksi, të blera gjatë viteve 2023-2024. Këta individë nuk kanë kryer deklarimin vjetor të të ardhurave. Ky konstatim vjen pas mbylljes së procesit të deklarimit vjetor të të ardhurave, me formularin “DIVA”.
“Ne jemi në fillim të këtij procesi. Po informojmë dhe po ndërgjegjësojmë. Më pas do të bazohemi në analizën e riskut, kryqëzimin e informacionit nga palët e treta, vlerësimin e deklarimeve etj. Fillimisht kemi konstatuar 400 drejtues mjete luksi, që nuk kanë asnjë marrëdhënie me tatimet, të cilët do të kalojnë në një sitë më të detajuar”, tha Rozana Çelmeta, drejtore e proceseve të biznesit në administratën tatimore gjatë një interviste në Vizon Plus.

Ku do të bazohet verifikimi i 400 individëve të parë ?
“Në të ardhurat të deklaruara pranë administratës tatimore, përputhshmërisë së tyre me vlerën e pasurive të zotëruara si dhe me dokumentacionin justifikues të burimit financiar”, sqaroi Çelmeta.
Por a është hetimi i pasurisë për 400 poseduesit e mjeteve të luksit fillimi i hetimit të pasurisë për shqiptarët në tërësi që nuk justifikojnë pasurinë?
“Kjo është faza e parë e trajtimit të këtij fenomeni, pra njoftime paraprake në lidhje me mosdeklarimin, në të cilin synohet që individët të informohen dhe të ndërgjegjësohen, të verifikojnë situatën e tyre dhe të deklarojnë të ardhurat. Nëse rezultojnë se janë të ardhura të justifikuara dhe të tatuara më parë, atëherë mjafton vetëm të deklarojnë. Nëse të ardhurat janë të patatuara do të duhet të paguajnë tatimin përkatës. Më pas do të vijohet më tej me hapat e tjerë që lidhen me investigimin, kontrollin dhe masat e tjera vijuese në zbatim të ligjit. Sa i takon hetimit të pasurisë, këtu përfshihen dhe instanca të tjera ligjzbatuese. Ky verifikim do të shtrihet edhe në individë të tjerë që rezultojnë me risk bazuar në të dhënat që administrata tatimore disponon”, tha Çelmeta./vizionplus.tv





