Subscribe

Deti është një mrekulli, njerëzit mikpritës por baret dhe restorantet nuk i frekuentojmë shpesh. Kështu shprehet ky turist që ka ardhur në Vlorë nga Minsku i Bjellorusisë.

 

“Do të qëndrojmë 21 ditë këtu. Nuk i vizitojmë shumë restorantet dhe baret, nuk e dimë se si janë çmimet aty.”

 

Vizitorë të tjerë shprehen se çmimet nuk kanë ndonjë diferencë të madhe në krahasim me vendet nga ata vijnë.

 

“Unë jam nga Serbia. Njerëzit këtu janë shumë të mirë. Çmimet nuk më duken të larta, thuajse njësoj.”

 

“Jam nga Ukraina. Vij për herë të parë në Vlorë. Më pëlqen shumë deti. Çmimet janë të njëjta me Ukrainën. Në Vlorë kam takuar persona nga qytete të ndryshme të Ukrainës por edhe njerëz të njohur që kanë ardhur me pushime.”

 

Sakaq, sezoni turistik në Vlorë ka përjetuar një bum turistësh që sipas kreut të operatorëve të jugut, Vasil Bedinaj reflekton edhe njëherë nevojën për më shumë struktura akomoduese.

 

VASIL BEDINAJ

KREU I OPERATOREVE TURISTIKE NE JUG

“Vlora ka shumë pak njësi akomoduese në raport me kërkesën dhe operatorët e mëdhenj kërkojnë një garanci dhe struktura akomoduese që tu përshtaten kërkesave të tyre. Duhet një plan i mirë dhe të jepen lejet e ndërtimit për ata që plotësojnë kushtet.”

 

Ndërsa vijon të mbetet i pazgjidhur problemi i transportit urban për turistët, nga Orikumi i Vlorës e deri në Sarandë.

 

“Një tjetër shqetësim që vazhdon prej vitesh është edhe transporti urban, në Orikum deri në Sarandë, është një shqetësim që nuk po merr zgjidhje. Nuk është një projekt që kërkon shumë investime por duhet të kemi një hartë të një transporti urban të mirëfilltë sikurëse është në të gjitha qytetet turistike.”

 

Sa i takon çmimeve, Bedinaj thotë se Vlora nuk pati raste të abuzimit, ndërsa e kundërta ndodhi në Sarandë.

 

“Promovimi në maksimum që i është bërë Sarandës, nuk e gjeti të përgatitur sepse abuzoi me çmimet dhe nuk e menaxhoi si duhet kërkesën. Vlora arriti të ruajë një ekuilibër sa i takon çmimeve pavarësisht kërkesave të larta.”

 

Operatorët turistikë gjithashtu shprehen se punimet në infrastrukturë kanë qënë problematike për pushuesit dhe është nevoja për një plan më të sistemuar në këtë drejtim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *