Subscribe

Arti vizual në Tiranë ka hapësira, por më e kërkuara është Galeria Kombëtare e Arteve. Të gjithë duan të ekspozojnë aty, por ky vit i është dedikuar vetëm tre artistëve që punojnë jashtë Shqipërisë.

 

Linjat muzeale që mund të vizitosh, janë të pakta, pasi galeria është shndërruar në vendin ku nga Shqipëria gjen vetëm realizmin socialist. Edhe piktorët më të mirë në vend, ata që kanë vepra në fondin e kësaj galerie kanë vite pa i parë veprat e tyre.

 

Shabani ka thuajse 24 vepra në fondin e Galerisë, dhe jo vetëm nuk i është kthyer përgjigje për kërkesën për të ekspozuar, por nuk ka përgjigje edhe kur kërkon të shohë në ç’gjendje janë veprat e tij.

 

Edhe piktori Vangjel Gjikondi ka hasur pengesa për të prezantuar ciklin “Historia e Skënderbeut” në Galerinë Kombëtare të Arteve, derisa gjeti hapësirën e kërkuar në Muzeun Historik Kombëtar.

 

Por, ajo që shqetëson më shumë publikun është mungesa e eventeve artistike. Një vit më parë, galeria ka ekspozuar punët e thuajse 30 artistëve, ndërsa nga janari i viti 2018 e deri në janar të vitit 2019, galeria numëron vetëm tre ekspozita.

 

Drejtori i kësaj galerie nuk pranon të flasë as për konkursin Onufri, një traditë në artin vizual shqiptar, as për artistët që do të ekspozojnë. I kontaktuar nga Vizion Plus, Erzen Shkololli refuzon t’i përgjigjet edhe pyetjes nëse do të sjellë vetëm tre ekspozita edhe vitin tjetër. Megjithatë, Tirana do të vijojë të ekspozojë, në Muze, galeri private apo në atë të universiteti të Arteve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *