Pas tetë ditësh fiken vatrat e zjarreve në zonën e mbrojtur të Nikolicës. Një gjë e tillë është bërë me dije nga kryetari i bashkisë së Devollit, Eduard Duro, i cili tha se tashmë nuk kemi asnjë vatër zjarri aktive.
Gjithashtu kryebashkiaku tha se dëmi i shkaktuar veçanërisht në zonën e mbrojtur të pyllit me pisha është shumë i madh. Forcat e shumta të angazhuara në terren kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit të ndihmuar edhe nga reshjet e pakëta të shiut të orëve të fundit.
Policia lokale nga ana e saj ka filluar hetimet për zjarrin e shkaktuar fillimisht në kullotat dhe bimësinë e ulët të fshatrave Floq dhe Kamenicë, poshtë Malit të Kuq, flakët e së cilit kanë përfshirë edhe zonën e mbrojtur të Nikolicës.
Burime të siguruara thanë se nga ana e grupit të hetimit janë pyetur barinj të zonës por edhe barinj të cilët vijnë nga rrethe të tjera të vendit me tufa të shumta blegtorie, për të shfrytëzuar kullotat malore të kësaj zone.
I njëjti burim bëri të ditur se barinjtë mund ti kenë vënë zjarrin kullotave për të përfituar sa më shumë sipërfaqe të tilla për vitin tjetër. Çeshtja i është deleguar prokurorisë së Korçës por deri më tani nuk ka asnjë të ndaluar edhe në kushtet kur janë pyetur shumë barinj si dhe banorë të zonës. Për specialistët e fushës, zjarri ka qënë i qëllimshëm. Nga vatrat e shumta të zjarrit paraprakisht mendohet se sipërfaqja e djegur në kullota, bimësi të ulët dhe pyje shkon më shumë se 50 ha.





