Shtyhet seanca për “Unazën e Re’/ Balliu: Rama do të përballet me drejtësinë në 26 prill

Shtyhet për javën e ardhshmë seanca gjyqësore për çështjen e Unazës së Re.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, i cili është mes të akuzuarve i konsideroi gjyqe politike.
Ai tha para mediave se pas zgjedhjeve parlamentare, kryeministri Edi Rama do të përballet me drejtësinë, ndërsa paralajmëroi se çështja e “Unazës së Re” do të përfundojë kur përgjegjësit të jenë në burg.
“Këto janë gjyqe politike. Këta kanë bërë me mijëra dosje e qindra procese gjyqësore, që do na duheshin katër breza për t’i bërë. Unë personalisht kam mbi 400 procese gjyqësore. Kjo bëhet vetëm për të detyruar gjykatën që t’i quajë banorët e Unazës “përsëritës”. Këta qytetarë po futen nëpër burgje, po ku janë ata që kanë vjedhur. Nuk është normale që ata të shijojnë jetën dhe këta qytetarë të futen në burg. Këtu na mbajnë nëpër gjyqe, çdo ditë jemi këtu te gjykata. Çdo ditë qytetarët po përballen me padrejtësinë. Ata iu prishën shtëpitë qytetarëve që të ndërtonin vilat oligarkët. Çështja e Unazës do të mbyllet vetëm kur përgjegjësit të jenë në burg. Më 25 prill Edi Rama do të ndëshkohet siç nuk është ndëshkuar askush. Më 26 prill do të duhet të mbyllet në zyrë me avokatët dhe të përballet me drejtësinë. Nuk ka gjë që e ndal votën kundër Ramës, s’ka gjë që e ndal këtë uragan. “Rama ik” është interes kombëtar. Largimi i Ramës nuk është çështje politike, por interes kombëtar, sepse ky njeri është fatkeqësi kombëtare, që i ka lënë qytetarët të vdesin dyerve të spitaleve, i ka lënë gratë në grevë urie. Këtij absurditeti dhe narkoshteti i ka ardhur fundi. Koha që qytetarët të futen nëpër burgje ka marrë fund, tani është koha që politikanët të futen në burg.”




