Maturantët që nuk arritën të regjistrohen gjatë fazës së lirë në universitete, do të kenë një tjetër mundësi, pasi procesi do të jetë i hapur deri më 8 nëntor.
Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, thotë se shtyrja e fazës së lirë të regjistrimeve u bë për të plotësuar nevojat e maturantëve, duke marrë parasysh interesin e lartë gjatë këtij raundi.
“Faza e lirë pati atë efektin që filloi mbushja e kuotave në programe studimi të cilat nuk kishin patur një ecuri aq të mirë deri në përfundim të raundit të dytë. Kjo u vu re kryesisht në universitetet rajonale. Mund të marrim rastin e Gjirokastrës që kishte mbi 13% të totalit të regjistruar. Shtyrja e afateve nuk u bë për të plotësuar kuotat e mbetura, por për tu dhënë një mundësi maturantëve të cilët dëshirojnë të rregjistrohen”, shprehet Arjan Xhelaj, drejtor i Rrjetit Akademik Shqiptar.
Xhelaj theksoi se asnjë nga degët nuk do të mbyllet, ndërsa 10 prej programeve të reja nuk do të hapen këtë vit akademik.
“Gjatë fazës së lirë kemi patur kërkesa të disa universiteteve. Janë vetëm 10 programe që nuk do të hapen. Nuk janë programe që kishin vite, janë programe të reja të cilave u ka munguar marketingu. Disa programe ishin në gjuhë të huaj, në gjuhën angleze dhe ka munguar marketingu i duhur për të tërhequr edhe studentë të huaj”, sqaroi ai.
Aktualisht, numri i maturantëve të regjistruar deri më 25 tetor ka arritur në 21,313. /vizionplus.tv