Kryetari i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, David McAllister, i përfolur si ndërmjetësuesi i një tryeze të mundshme mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha për gjetjen e një kompromisi nuk do të jetë në Tiranë, të paktën deri në fund të kësaj jave.

 

Këtë fakt e ka konfirmuar zyra për shtyp e Parlamentit Europian. Në përgjigje të interesimit të Vizion Plus lidhur me një zgjidhje të mundshme që z. McAllister do ti propozojë palëve në tryezë, zëdhënësi i PE-së është shprehur, se fatkeqësisht, eurodeputeti nuk mund të japë komente të paktën deri në fund të kësaj jave. Sipas tij McAllister është angazhuar në një tjetër detyre në Pakistan.

 

Mesa duket zyrtari i lartë i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit është në pritje të rakordimit të qëndrimeve mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për një takim mes palëve. Hapi i parë për një tryezë të tillë është hedhur nga të dyja partitë, negociatorët e të cilëve, Balla dhe Bylykbashi, janë takuar dhe kanë shpalosur dakordësitë dhe ndarjet e palëve.

 

Ndërkohë thirrja për një ndërmjetësim të kësaj tryeze nga zyrtare të PPE-së është bërë edhe nga dy aleatët në koalicion, kryeministri Rama dhe kryeparlamentari Meta, pas takimit që këto të dy kanë patur në fundjavë.

 

Përpjekja e faktorit ndërkombëtar për kapërcimin e situatës së vështirë ku gjendet politika shqiptare, vjen disa ditë pas apelit të Zv/Presidentes së Komisionit dhe Shefe për Politikën e Jashtme në BE Europian Federika Mogerini, si dhe komisionerit për Zgjerim Johanes Hahn, drejtuar opozitës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *