Subscribe

Vetëm në harkun kohor të 50 ditëve, çmimet e karburanteve në Shqipëri janë rritur 3 herë, duke bërë që xhepat e konsumatorëve të paguajnë 15 lek / litër më shumë se në fund të muajit prill. Sot, tabelat e pikave të naftës kishin çmimin 164 lek për litër, nga 149 që ishte më parë. Edhe pse çmimet në bursat ndërkombëtare janë rritur duke shkuar në 50 dollarë për fuçi, ekspertët thonë se reflektimi në tregun tonë, nuk duhet të ishte në këto vlera. Por një tjetër arsye se përse janë rritur çmimet e karburanteve është edhe rritja e taksave vendore. Vetëm për procesin e riliçensimit, pikat e karburanteve paguajnë 50 milion lekë të vjetra, ndërsa aksioni kundër informalitetit ka bërë që shumë karburante të mbyllen dhe tregu të përqendrohet më shumë në dorën e disa grosistëve. Shqipëria është vendi i 12-të në botë për çmimin më të lartë të naftës, duke lënë pas Francën Gjermaninë, Belgjikën dhe Greqinë. Ende në vend nuk ka një autoritet, i cili të monitorojë çmimet nëse janë rritur apo jo në mënyrë abuzive. Asnjë nga institucionet shtetërore nuk mban përgjegjësi, as drejtoria e mbrojtjes së konsumatorit në ministrinë e ekonomisë, e cila ben përgjegjës autoritetin e konkurrencës, e nga ana tjetër, konkurrenca thotë se ka kërkuar ngritjen e një strukture të veçantë për monitorimin e çmimeve, por kjo ka 1 vit e gjysmë që nuk është realizuar ende.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *