Subscribe

uke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, fermerët do të përballen me kosto të shtuara për shkak të disa ndryshimeve në paketën fiskale të propozuara nga qeveria.

 

Blerja e pesticideve, plehrave kimikë, farave dhe fidanëve do të kushtojnë më shtrenjtë sepse mazhoranca kërkon të vendoset 10% TVSH për importin e tyre.

 

Por operatorët në treg thonë se çmimet e inputeve bujqësore kanë pësuar që tani një rritje të ndjeshme dhe shkak për këtë është bërë vala e shtrenjtimit në botë.

 

AGIM RAMETA

SHOQATA TREGTARE E BUJQËSISË

 

“Rritja e çmimeve vjen nga vendet e tjera prodhuese të botës. Sot ureja në Rusi është 800 dollarë toni, imagjino ta sjellësh…rritja e çmimit do të jetë e lartë. Rritja është 50 përqind dhe në disa raste edhe 100%. Nëse një kuintal ure shitej 5 mijë lekë të reja, sot është 10 mijë lekë të reja. Është një rritje shumë e madhe për fermerin. Tendenca është vetëm në rritje.”

 

Kur të vendoset edhe TVSH 10%, tregtarët do të rrisin edhe më tej çmimet e inputeve bujqësore, me pasoja direkte për fermerët.

 

 

AGIM RAMETA

SHOQATA TREGTARE E BUJQËSISË

 

“Kjo nuk paraqet rrezik për tregtarët, problemi kryesor është se fermeri do të jetë shumë i ngarkuar sepse 10% do të reflektohet në çmim dhe fermeri do të paguajë më shtrenjtë.”

 

Ndërsa për ekspertët, iniciativa të tilla të qeverisë në kohën kur tregjet janë të trazuara nga rritja e çmimeve, nuk janë të duhura.

 

ILIR PILKU

EKSPERT BUJQËSIE

 

“Lëvizjet e shumta në sistemin e fiskalizimit nuk janë të mira, janë të pastudiuara. Ne kishim zerimin e TVSH për inputet bujqësore para 3 vitesh, ndërsa tani vendosim vlerën 10%. Nuk kemi një akordancë të hallkave të shkarkimit të TVSH. Nëse një individ ngarkohet me një vlerë TVSH, ajo duhet të shkarkohet në shitje. Në një situatë pandemike, kur kemi dyfishim të çmimeve të inputeve, ngarkesa me 10% të TVSH, do ta ngarkojë biznesin bujqësor. Ndoshta mund të kemi një instrument tjetër që kompenson këtë 10%. Pa prodhim dhe lëndë të parë, ekonomia nuk ecën. Jemi në një situatë pandemike dhe është mëse konkrete që çmimet janë dyfishuar.”

 

Bujqësia në syrin e ekspertëve shihet si sektori që goditet më shpesh përmes instrumentave fiskalë.

 

Për një rregullim të situatës, thirrja për shumicën qeverisëse është që të japë subvencione dhe të mendohet për instrumente që kompensojnë TVSH 10%.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *