Kohët e fundit, shoqëria është përballur me një valë shqetësuese dhune ndaj kafshëve. Aktivistët japin alarmin për fenomenin që, sipas tyre, po përhapet me shpejtësi dhe që shpesh kalon pa ndëshkim.
“Është një shqetësim konstant, domethënë nuk janë rastet e para, janë shumë raste, është durimi ynë që ka arritur një kufi, që ka ardhur në limitet e tij. Rastet kanë qenë në mënyrë të vazhdueshme. Ne si vullnetarë, jemi munduar të bëjmë aq sa kemi forcë. Kafshë të keqtrajtuara, që lënë lot në rrugë, me gjymtyrë të thyera, me gjymtyrë të prera, të dërrmuara… kemi pasur raste të tmerrshme të kafshëve të abuzuara seksualisht.”, shprehet aktivistja.
Sipas aktivistëve, është thelbësore që të forcohet kuadri ligjor për mbrojtjen e kafshëve, por njëkohësisht kërkohet zbatimi i rreptë i ligjeve ekzistuese.
“Qëllimi është që ne të bërtasim në opinion dhe të na shikojë publiku, që edhe ai vrasësi ta shikojë që nuk është aq pa zë kafsha, dhe sigurisht që do të kërkojmë edhe forcimin e ligjit, por përpara se të kërkojmë forcimin e ligjit, ne duam që ky ligj të funksionojë. Nuk kemi parë asnjë dënim deri më sot. Janë bërë denoncime pafund dhe askush nuk ka pësuar asgjë. Është një faj i rëndë, është krim. Për sa kohë legjislacioni e përcakton si krim, nuk ka rëndësi kush e bën. Në bazë të moshës ti do marrësh dënimin. Ka dënime për të mitur.”
Aktivistët kanë mbajtur edhe një marshim proteste këtë të shtunë ku kanë theksuar se edukimi për të frenuar këtë fenomen është nevojë urgjente.
/vizionplus.tv