Shtohen pickimet nga insektet, mjekët në Belsh: Bëni kujdes gjatë punëve në bujqësi
Ndërsa vendi vijon të jetë nën ndikimin e temperaturave të larta, në një zonë bujqësore si ajo e Belshit problem janë rastet e pickimeve nga insektet.
Mjeku i Qendrës Shëndetësore Belsh thotë se çdo ditë paraqiten rreth 7 deri në 10 raste, kryesisht me pickime nga bletët dhe grerëzat. Rastet më të rënda kalohen për trajtim të specializuar në Spitalin Rajonal të Elbasanit, ndërsa të tjerat marrin mjekim në Belsh. Sipas mjekut,Agim Hasko, grup mosha më e rrezikuar është ajo 25 deri në 65 vjeç , për shkak të angazhimit në bujqësi.
Në qendër janë paraqitur edhe persona të pickuar nga gjarpërinjtë. Mjeku këshillon qytetarët të ruajnë qetësinë në raste të tilla, të marrin ndihmën e parë dhe t’i drejtohen mjekut të familjes apo qendrës shëndetësore.
Duke qenë se Belshi regjistron rreth 35-40 mijë banorë dhe ka një aktivitet të gjerë bujqësor, mjeku u drejtohet fermerëve, të tregojnë kujdes me veshjen gjatë punës në terren dhe të shmangin punën në fushë në orët kur temperaturat janë më të larta.
/vizionplus.tv




