Kokainë, kanabis, por vitin e fundit edhe ekstazi janë drograt më të përhapura në vend, ku tregun e dominon Tirana kryesisht në lokalet e natës, apo në zonat e tjera ku trafikantët dhe shpërndarësit prej kohësh kane arritur të ngrenë bazat e tyre.
Gazetari i Vizion Plus, Esido Barkaj, ka siguruar të dhënat për 6-mujorin e parë të vitit 2025, ku rezulton se për këtë periudhë Sektori për hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në kryeqytet, ka referuar 369 vepra penale më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në këto vepra, referuar sërish shifrave, kanë rezultuar të përfshirë 411 autorë të implikuar.
Konkretisht për periudhën Janar-Qershor janë evidentuar gjithsej 929 vepra penale për drogë dhe trafiqe me 1116 autorë, prej të cilëve 299 janë të arrestuar, 785 janë ndjekur në gjendje të lirë dhe 32 në kërkim.
Ajo që bie në sy sa i takon lëndëve narkotike të sekuestruara në kuadër të operacioneve të realizuara gjatë këtij 6-mujori, rezulton se kokaina dhe kanabisi mbeten drograt më të përhapura, por ndryshe nga vitet e kaluara një shpërndarje më të madhe ka pësuar edhe ekstazi. Një drogë e re në vendin tonë, më e lirë se kokaina, por më e preferuar kryesisht nga të rinjtë në lokalet e natës.
Nëse për vitin 2024 është sekuestruar vetëm 4.6 gram ekstazi, për këtë vit sasia është afro 222 gram. Rritje është regjistruar edhe për kanabisin, ku për këtë vit janë kapur 292 kg, konkretisht 217 kg më shumë se viti i kaluar. Kokaina e sekuestruar për këto muaj është mbi 5 kg.
Sa i takon goditjeve të grupeve kriminale,të përfshirë në drogë, apo në trafiqe njerëzore ose të armëve, për vitin 2025, hetuesit e policisë janë ndihmuar edhe nga metodat proaktive, ku shumë operacionet janë realizuar pas përgjimeve dhe dokumentimit të provave për personat e përfshirë në paligjshmëri.
/vizionplus.tv





