Numri i personave që konsumojnë lëndë narkotike në vendin tonë po rritet nga viti në vit. Më shqetësuese mbeten rastet e të rinjve, të cilët për periudha të gjata kohore janë përdorues jo vetëm të lëndëve narkotike, por edhe të alkoolit dhe të lojërave të fatit.
“Padiskutim ne shohim një rritje të rasteve kryesisht tek të rinjtë. Po shikojmë një trend në ulje të moshës së individëve që konsumojnë. Gjithashtu shohim dhe individ që po ndërgjegjësohen, që po kërkojnë ndihmë. Ne shohim që një individ që është i varur nga substancat narkotike zakonisht ato janë të kombinuara me alkoolin në pjesën më të madhe të tyre, po flasim zakonisht për kokainën. Por ne shohim edhe individë të cilët kanë probleme edhe me lojrat e fatit ose me bixhozin që njihet në gjuhën popullore”, shprehet Orges Hysenaj, Drejtues i Qendrës së Rehabilitimit Teen Challenge Albania.
Megjithatë edhe numri i atyre që ndërgjegjësohen dhe kërkojnë ndihmë për të dalë nga bota e erret e varësisë ka shënuar rritje. Shumë prej tyre e gjejnë shpëtimin tek qendrat e rehabilitimit.
“Zakonisht janë familjarët ata që kontaktojnë të parët për individin i cili nuk është më i vogël, është mbi 18, vetëm kur varësia ka treguar të gjithë shenjat e saj agresive, ndoshta të dhunës, të rënies në peshë, të divorceve, të humbjes së punës, të humbjes së financave apo borxheve nga më të ndryshmet. Ne shohim që kur vinë tek ne mund të ketë kaluar mbi 5, 10 apo 15 vjet të varur.’’
Vetmia është një prej faktorëve kryesorë që i shtyn këta të rinj drejt varësisë. Megjithatë, nuk mungojnë rastet e suksesit, kur të rinjtë arrijnë të fitojnë betejën.
“Ky është problem më i madh që kemi në vendin tonë, individ që ndihen vetëm bosh dhe nuk dinë të shprehin ose nuk kanë dikë që ti dëgjojë. Ne kemi patur raste suksesi vetëm kur familjarët kanë bashkëpunuar ngushtë me gjithë stafin e qendrës sonë.”
Sipas Anketës Europiane për Drogat, të realizuar nga Agjencia e Drogave e Bashkimit Evropian për vitin 2024, 41% e përdoruesve të drogës në Shqipëri deklarojnë se kanë përdorur kokainë në 12 muajt e fundit, përqindja më e lartë e regjistruar në nivel evropian për këtë tregues.
/vizionplus.tv





