Shtëpia e Bardhë tha se mirëpret takimin mes udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë. Këshilltari i Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare, Robert O’Brien nënvizoi rëndësinë e bisedimeve për të çuar përpara paqen përmes bashkëpunimit ekonomik. Shtëpia e Bardhë ka thënë se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë në Uashington të enjten dhe të premten do të përqendrohen tek çështjet ekonomike dhe se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë plan sekret apo paragjykim për zgjidhjen politike. Në prag të takimit një këshilltar i posaçëm i Presidentit Donald Trump tha për gazetarët se SHBA synojnë të çojnë përpara bashkëpunimin ekonomik që të përfitojnë qytetarët dhe që të shërbejë si bazë për zgjidhjen politike. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Keida Kostreci ka biseduar me analistë, të cilët bien dakord për rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik, por theksojnë se synimi përfundimtar duhet të jetë një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe normalizim marrëdhëniesh:

Shtëpia e Bardhë tha se mirëpret takimin mes udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë. Përmes një komenti të mërkurën në Twitter, Këshilltari i Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare, Robert O’Brien nënvizoi rëndësinë e bisedimeve:

“Mirëpres mbërritjen e Presidentit Vuçiç dhe të Kryeministrit Avdullah Hoti nesër në Shtëpinë e Bardhë. Këto diskutime të rëndësishme do të çojnë përpara paqen përmes bashkëpunimit ekonomik. Angazhimi i dy udhëheqësve për dialog do të sjellë përfitime si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën,” tha zoti O’Brien.

Të martën, një zyrtar amerikan, i identifikuar nga Shtëpia e Bardhë si Këshilltar i Posaçëm i Presidentit Trump, në një audiokonferencë me gazetarët, tha se është e qartë për këdo, seaspekti politik, siç u shpreh ai, “ka ngecur, po flitet gjithmonë për të njëjtat çështje, pa ndonjë përparim”.

Ai tha se Shtëpia e Bardhë synon ta përmbysë skenarin e deritanishëm për të pare nëse “zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të punës për të rinjtë, mund të ndryshojë dinamikën”.

Këshilltari tha se bisedimet e kësaj jave do të përpiqen të çojnë më përpara marrëveshjet për transportin ajror, hekurudhor dhe rrugor, të cilat ai i quajti “historike”./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *