Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë të shtunën se ka nisur të marrë hapa drejt zbatimit të marrëveshjes së arritur së fundmi në mes të Prishtinës dhe Beogradit, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, për shtensionim të situatës në veri të Kosovës.

Në një komunikatë për media, KFOR-i ka thënë se pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës, ky mision ka shtuar patrullimet në zonat kufitare të bllokuara, si dhe ka agazhuar pjesëtarë të tij në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

“Nga kjo fundjavë e deri në dy javët e ardhshme, KFOR-i do të të jetë prezent në këtë zonë, në përputhje me marrëveshjen e arritur dhe me mandatin që ka”, është thënë në komunikatën për media.

Për më shumë se 12 ditë, serbët lokalë kanë bllokuar këto dy pika kufitare, si shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës që të zbatojë masë reciprociteti në targat e veturave të regjistruara në Serbi.

Mirëpo përmes një marrëveshjeje të arritur më 30 shtator, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë arritur marrëveshje për zhbllokim të pikave kufitare dhe zgjidhje të përkohshme për targat e makinave./R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *