Ish-Kancelari gjerman, Gerhard Schreder, deklaroi se Shqipëria duhet të vazhdojë reformat për integrimin në BE dhe se vendet kandidate nuk duhet që të demoralizohen nga largimi i Britanisë së Madhe nga Unioni. Në konferencën “Sfidat ekonomike të migracionit dhe integrimit brenda projektit europian” e cila zhvillohet në Tiranë, Schreder tha se Shqipëria është një vend kyç në Ballkan, ndërsa duhet të vazhdojë  luftën kundër krimit dhe korrupsionit me miratimin e Reformës në Drejtësi.

“Për Gjermaninë, Shqipëria është një vend kyç në Ballkan. Merkel e ka bërë të qartë se Gjermania do të mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt BE. Një Shqipëri e qëndrueshme është në interesin e të gjithëve me qëllim që situata politike të mbetet e ç’tensionuar, me qëllim që politika e refugjatëve të gjejë një zgjidhje Europiane. BE i duhet Shqipëria, ashtu sikur Shqipërisë i duhet BE. Duhet të bëni reformat për integrimin në BE, sidomos në ekonomi dhe drejtësi. Nga vendi juaj priten rezultate në luftën kundër krimit dhe korrupsionit pasi e ardhmja e Shqipërisë është e qartë në BE”.

Gerhard Schreder foli edhe për fluksin e emigrantëve duke deklaruar të gjitha vendet e Europës duhet të tregojë solidaritet me krizën. Lidhur me fluksin e emigrantëve kryeministri Rama tha se Europa duhet të ndryshojë politikat në krizën e menaxhimit të refugjatëve ndërsa Shqipëria është e gatshmen për të pranuar pjesën e saj.

“Shqipëria është e gatshme për të pranuar pjesën e saj të refugjatëve”.

Ish-kancelari gjerman u ndal edhe te dalja e Britanisë nga BE duke e cilësuar si goditje, ndërsa paralajmëroi se nuk do ta kenë aspak të lehtë pas referendumit. Këtu ai kërkoi që të mos ketë lëshime ndaj dëshirave të tepërta të Britanisë pasi një praktikë e tillë mund të ndiqet dhe nga vende të tjera.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *