Një 26 vjeçar shqiptar është dënuar me një vit burg nga gjykata në Britanë e Madhe për kultivim të lëndëve narkotike. Mediat vendase raportojnë se bëhet fjalër shtetasin Geraldo Xixi.

 

Ai u vu në pranga pasi u kap në një fermë kanabisi. Sapo kishte pikasur policinë e cila hyri me forcë në banesë, i riu ishte ngjitur në tarracën e shtëpisë ku kultivohej kanabisi. Ai vrapoi nëpër çatitë e shtëpive të tjera për rreth gjysmë ore derisa në fund ra në duart e policisë.

 

Gjatë kontrollit policia gjeti 130 bimë me vlerë 60 mijë euro, që kultivoheshin nën mbikëqyrjen e 26-vjeçarit ndërsa sipas autoriteteve ata kishin vendosur në rrezik edhe shtëpitë e tjera ngjitur nga mënyra se si kishin lidhur energjinë elektrike.

 

Geraldo Xixi ka pretenduar para gjykatës se familja e tij ishte përfshirë në “gjakmarrje” pasi babai kishte vrarë një person në qytetin e tij të lindjes. Sipas tij, ai ka hyrë ilegalisht në Britaninë e Madhe i ndihmuar nga një prej bandave shqiptare që merrej me kultivimin e kanabisit.

 

Para togave të zeza, Xixi u shpreh se kishte rënë pre e bandave të trafikut të drogës me premtimin se do të punonte në ndërtim. Por ai është shfrytëzuar prej tyre pasi ata ishin në dijeni të përfshirjes së familjes së tij në gjakmarrje. Shqiptari ka deklaruar gjithashtu se i duhej të mblidhte para për t’u kujdesur për nënën e sëmurë.

 

Ndërkaq, sipas prokurorisë angleze shqiptari nuk ka pasur asnjë dënim të mëparshëm në Britaninë e Madhe. Ata i kanë dërguar kërkesë autoriteteve shqiptare për të mësuar për ndonjë dënim të mundshëm në Shqipëri, por deri më tani nuk ka asnjë përgjigje.

 

Sipas prokurorëve anglezë, Xixi kishte studiuar për menaxhim biznesi në Shqipëri, por ai e kishte lënë shkollën të papërfunduar për shkak se shëndeti i nënës së tij ishte përkeqësuar dhe për këtë arsye ai kishte ardhur në Britaninë e Madhe për të bërë para sa më shpejt të ishte e mundur për kujdesin mjekësor të nënës së tij.

 

Pas përfundimit të burgut, Xixi do të dëbohet në Shqipëri, ndërsa deportimi në atdhe do të varet nga Ministria e Brendshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *