Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev së bashku me ministrin e jashtëm, Bujar Osmani dhe ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe mbërritën në Sofje.

 

Ata kanë takuar personat e mbijetuar dhe janë në kontakt me autoritetet bullgare për të zbuluar shkaqet e aksidentit të tmerrshëm.

 

ZORAN ZAEV

KRYEMINISTER, MAQEDONI E VERIUT

 

“Pata mundësinë të bisedoja me një nga të mbijetuarit. Ai shpjegoi se ata ishin duke fjetur në autobus kur u dëgjua një shpërthim i fortë. Ata kanë mundur të thyejnë njërin nga xhamat dhe të shpëtojnë disa persona. Fatkeqësisht, të tjerët nuk ia dolën. Është një tragjedi e tmerrshme. 12 prej viktimave janë fëmijë ndërsa pjesa më e madhe, të rinj të moshës 20 deri 30 vjeç.”

 

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani konfirmoi se shumica e viktimave janë nga Shkupi, ata po ktheheshin nga Turqia ku kishin shkuar për një vizitë treditore në Stamboll.

 

BUJAR OSMANI

MINISTER I PUNEVE TE JASHTME

 

“Sipas të dhënave të para që kam, bëhet fjalë për një agjenci turistike nga Shkupi, dhe shumica e viktimave janë nga Shkupi. Në mesin e tyre ka më shumë se dhjetë fëmijë, por kishte edhe shumë të rinj të tjerë që kishin shfrytëzuar pushimin e zgjatur, pasi të hënën ishte ditë feste”.

 

Ministri i Brendshëm i Bullgarisë, Boyko Rashkov e përshkruan kështu vendngjarjen.

 

BOYKO RASHKOV

MINISTER I BRENDSHEM, BULLGARI

 

“Pamjet janë rrëqethëse. Detajet e tragjedisë po hetohen. Është e vështirë të shohësh atje, shumë e vështirë. Nuk e di nëse duhet të tregojmë detajet në këtë moment. Nuk kisha parë asnjëherë diçka të ngjashme. Njerëzit janë kthyer në hi”.

 

Sipas mediave bullgare, po merret në konsideratë mundësia e plasjes së njërës prej gomave dhe përplasjes së autobusit me një barrierë ndarëse para shpërthimit të zjarrit. Megjithatë ka dëshmitarë që thonë se kanë parë autobusin në ecje në flakë.

 

Zyrtarët më të lartë të Brukselit kanë shprehur ngushëllimet e tyre ndërsa theksojnë se Bashkimi Evropian është i gatshëm të ofrojë mbështetje në çdo mënyrë që është e mundur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *