Shqiptarët mes kursimit nga frika dhe shpenzimeve bazike, rriten fajdet

Pandemia i ka vënë shqiptarët mes shpenzimeve bazike dhe kursimit nga frika. Gjatë kësaj situate pandemike është vënë re se janë tërhequr më shumë para cash nga banka, për të ofruar një farë garancie për përballimin e krizës. Zëvendës guvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi tha për emisionin “E-Zonë” në “Vizion Pus” se se kjo erdhi si pasojë e frikës që u krijua.
“Individët, familjet, përpiqen të mbajnë të njëjtin raport të ndarjes së të ardhurave në konsum dhe kursime. Por pjesa më e madhe e të ardhurave të tyre momentalisht shkon për konsum, për nevojat më bazike. Është i vetmi komponent i kërkesës agregate që vazhdon të rritet, me një ritëm të ulët, por vazhdon. Familjet vazhdojnë të jetojnë në njëfarë mënyre. Nga të dhënat tona del që sasia e parasë cash, jashtë bankës, është rritur, për shkak të pasigurisë që ata shohin, familjet duan t’i kenë paratë në shtëpi. Radhët nëpër banka, oraret e kufizuara të punës së bankave, ju krijonin një lloj frike që a do t’i kenë mjetet monetare për të përballuar konsumin. Sasia e transaksioneve cash është rritur. Nuk flasim dot me shifra të sakta. U rritën shumë në muajt maj-qershor, u normalizuan disi rreth korrikut dhe tani në valën e dytë të pandemisë është rikthyer pasiguria. Ka frikë për kufizime të tjera”, tha ajo.
Luljeta Minxhozi shtoi se ritmi i kursimit ka qenë relativisht i ulët pasi pjesa më e madhe e të ardhurave shkon drejt konsumit.
E pyetur nga gazetarja Rajmonda Lajthia, zv. guvernatorja pranoi se gjatë këtyre muajve të krizës ka patur edhe një rritje të marrjes së borxheve në treg të zi.
“Gati 50% rezulton në anketime se familjet kanë marrë fajde, për të mos ulur konsumin e tyre. Mund të kenë kredi të tjera në banka dhe atëherë u drejtohen institucioneve të tjera jo-bankë dhe në një rast ekstrem kur nuk janë bërë mirë llogaritë, mund t’i drejtohen tregut të zi.”
Luljeta Minxhozi zbuloi se shërbimet elektronike janë 12% më të larta sesa në fillim të 2020.




