Subscribe

Merr fund odiseja e koncesionit të rrugës më të madhe në Shqipëri Milot – Morinë. Ministria e Transporteve ka vendosur që mirëmbajtjen e këtij aksi ta marrë për 30 vite firma shqiptare “Catylist Salillari” dhe “Kastrati”. Në një njoftim për mediat, ky institucion thotë se është tërhequr nga ankimimi që bëri një muaj më parë në Komisionin e Prokurimit Publik, ku kundërshtonte dhënien me koncesion ndaj kompanisë shqiptare, e kërkonte marrjen e tenderit nga turqit e “Vendeka Bilgi”. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës në kuadër të transparencës, informon se Komisioni i Prokurimit Publik, ka vendosur rrëzimin e ankimimit ndaj vendimit të mëparshëm, për procedurën e dhënies me koncesion të mirëmbajtjes së Rrugës Milot-Morinë.
Tre muaj më parë komisioni i Vlerësimit të Ofertave vendosi si fitues të tenderit kompaninë “Vendeka Bilgin”, por pas ankimimit të firmës shqiptare, komisioni i prokurimeve njohu si fitues “Salillarin”. Një ditë përpara se të linte detyrën, ish-ministri Edmond Haxhinasto ankimoi sërish vendimin e komisionit, dhe një muaj më pasi Ministria e Transporteve ka vendosur të tërhiqet. Koncesioanri do të tarifojë me 5 euro çdo automjet që kalon në rrugën e Kombit, ndërsa do të marrë nga buxheti i shtetit 5 milion euro subvencion për mirëmbajtjen e saj. Ende nuk është finalizuar kontrata se sa do të paguajnë automjetet sipas madhësisë së tyre, banorët e zonës dhe sa do të marrë kjo shoqëri për të përfunduar ndërtimin e kësaj rruge. Edhe pse fatura e rrugës së Kombit ka marrë vlerën më të madhe të çdo vepre që ka financuar buxheti i shtetit, rreth 1 miliard euro, me sa duket qytetarët përveç borxhit publik të rritur për të, do të paguajnë fatura të tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *