Shqiptarët festojnë Pavarësinë në Greqi, radhë të gjata në pikën kufitare të Kapshticës

Radhë deri në 1 kilometër dhe pritje që shkojnë deri në 90 minuta janë regjistruar sot në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, ku fluksi i mjeteve drejt Greqisë është rritur ndjeshëm që prej orëve të para të mëngjesit.
Megjithëse policia kufitare shqiptare ka shtuar numrin e sporteleve, situata ka mbetur e rënduar për shkak të volumit të lartë të udhëtarëve që kanë zgjedhur të kalojnë fundjavën në vendin fqinj. Sipas burimeve zyrtare, ky fluks i pazakontë ka qenë i paparashikueshëm, ndërsa prurjet më të mëdha vijnë nga drejtues shqiptarë që udhëtojnë drejt Greqisë.
Në këto kushte, policia kufitare shqiptare po punon me procedura të përshpejtuara, sidomos për shtetasit shqiptarë me dokumente greke, por edhe për shtetas të huaj. Të njëjtat burime bëjnë me dije se edhe pala greke ka shtuar sportelet me qëllim përpunimin sa më të shpejtë të dokumenteve të udhëtarëve që hyjnë në territorin e saj.
Forcat e policisë kufitare shqiptare ndodhen në terren duke monitoruar situatën dhe duke rregulluar qarkullimin për të shmangur çdo tentativë parakalimi apo shkelje nga drejtues të mjeteve që kërkojnë të kalojnë radhën në mënyrë të parregullt.
Autoritetet u bëjnë thirrje udhëtarëve të tregojnë durim dhe të respektojnë udhëzimet e policisë deri në normalizimin e plotë të situatës.



