Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë bëri një njoftim të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët e ngecur në SHBA për shkak të koronavirusit.

Sipas ambasadës, rikthimi i tyre në atdhe do të kryhet në datën 29 prill.

“Riatdhesimi i qytetarëve shqiptarë që ndodhen në Shtetet e Bashkuara do të ofrohet përmes udhëtimit me itinerarin Nju Jork-Romë-Tiranë. Nisja me datën 29 prill pasdreke nga Aeroporti JFK nëpërmjet kompanisë Alitalia (fluturim komercial) që mbërrin në Romë më datë 30 Prill. Fluturimi tjetër drejt Tiranës përmes Air Albania (fluturim riatdhesimi) arrin në Tiranë po me datën 30 prill në darkë dhe prej andej udhëtarët do të drejtohen menjëherë drejt hoteleve ku do kryhet karantina.”

Selia diplomatike sqaroi se në paketën e udhëtimit do të përfshihet edhe karantina për dy javë.

“Duke marrë shkas nga informacionet tuaja mbi vështirësinë e prenotimit të biletave, si edhe për ta bërë sa më të lehtë procesin e riatdhesimit që ka marrë përsipër Qeveria Shqiptare, Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës dhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Uashington DC, kanë punuar intensivisht për të bërë të mundur ofrimin e këtij udhëtimi përmes një operatori dhe në një paketë të vetme. Kjo paketë do të përfshijë udhëtimin nga Nju Jorku drejt Shqipërisë, përfshirë dy javët e qëndrimit në karantinë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *