3.7 milion qytetarë do të votojnë nesër për të zgjedhur parlamentin e ri të Shqipërisë dhe forcën politike që do të drejtojë vendin në 4 vitet e ardhshme.
Në këto zgjedhje janë regjistruar 8 parti dhe 3 koalicione dhe në total janë në garë 2.046 kandidatë të cilët garojnë për 140 vendet e Kuvendit të Shqipërisë që do të zgjidhen në bazë të sistemit proporcional rajonal.
Në të gjithë vendin janë ngritur 5.225 qendra votimi dhe 93 qendra numërimi; ndërkohë që në njësinë nr. 10 në Tiranë dhe në Vorë aplikohet si projekt pilot votimi dhe numërimi elektronik.
Në listën e zgjedhësve 114.642 janë votues për herë të parë. Ndërkohë që për shkak të ligjit të dekriminalizimit 1.081 shqiptarë që janë dënuar për krime të rënda nuk kanë të drejtë të votojnë.
Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vend, 246 mijë qytetarë që jetojnë jashtë vendit janë regjistruar për të marrë pjesë në këtë garë elektorale.
Fleta e votimit është shpërndarë nëpërmjet postës në 85 shtete të botës dhe ata kanë votuar tashmë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë zarfin me fletën e tyre të votimit deri në orën 19:00 dhe nëse zarfat mbërrijnë pas kësaj ore, vota e tyre nuk do të numërohet.
Sistemi zgjedhor këtë herë ka një risi; pasi lista e kandidatëve është ndarë në dy pjesë: në listën e hapur dhe listën e mbyllur. Secili koalicion apo parti politike garon me një ekip prej 186 kandidatësh; dhe në çdo qark 1/3 e kësaj liste është e mbyllur, ndërkohë që qytetarët mund të votojnë pjesën tjetër të kandidatëve dhe vota e tyre do të përcaktojë se cili do të zgjidhet deputet në parlamentin e ardhshëm.
Zgjedhjet e 11 majit monitorohen nga vëzhgues vendas e të huaj. Prej datës 2 prill në Shqipëri është vendosur misioni i ODIHR i cili po monitoron garën elektorale me një ekip që përfshin 12 ekspertë ndërkombëtarë, 26 vëzhgues afatgjatë dhe 300 vëzhgues afatshkurtër./vizionplus.tv