Për shkak të ndryshimeve klimatike, sipas ministrisë së Mbrojtjes rreth 50 mijë banorë preken nga përmbytjet në një vit në vendin tonë.
Për të marrë paralajmërime në kohë për rrezikun, Shqipëria do të përmirësojë shërbimin e hidrometeorologjisë, në bashkëpunim me Gjermaninë dhe Zvicrën.
“Nuk kemi kontribuuar në ndryshimet klimatike ekstreme sepse kemi një industri të pazhvilluar. Por ama nuk kemi as aftësinë e mbrojtjes, të izolimit ndaj këtyre ndryshimeve klimatike. Nëse sot po përmbytet në mënyrë të rregullt Italia, si do ta shpëtojmë Shqipërinë? Sigurisht ne jemi më të pafajshmit e të gjithë grupit, por faturën do ta paguajmë si të gjithë të tjerët. Kur vjen puna te reshjet, ti nuk e parandalon dot, por duhet ta parashikosh”, njoftoi zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku.
“Ndryshimet klimatike janë një problem serioz dhe i vërtet. Mjafton të shohësh lajmet, thuajse çdo mbrëmje ka lajme në Europë për pasoja të ndryshimeve klimatike, për përmbytje. Nuk mund t’i ndalojmë ndryshimet klimatike, por sfida është si mund të marrim masa. Ne duhet të gjejmë një zgjidhje të përbashkët. Nëse fokusohemi te Shqipëria, ndryshimet klimatike janë një realitet edhe këtu dhe duhen marrë masa në këtë drejtim”, tha Karl Bergner, ambassador i Gjermanisë në Shqipëri.
Fondi i vënë në dispozicion për zbatimin e projektit është 35 milionë euro dhe parashikohet që të vendosen sensorë në të gjithë vendin për të ngritur një mekanizëm paralajmërimi të hershëm për përmbytjet./vizionplus.tv





