Bashkimi Europian gjendet në një situatë tejet të vështirë pas shpërthimit të pandemisë nga koronavirusi. Megjithatë puna e institucioneve vijon me staf të reduktuar dhe në rrugë dixjitale.

Këshilli i Cështjeve të Përgjithshme në Union, i ka dhënë dritën jeshile hapjes së negociatave të antarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duke vlerësuar se të dyja vendet kanë përmbushur kushtet e vendosura në qershor të vitit 2018. Në një draft përfudnimesh të publikuar një ditë më pare, argumentohet progresi i Tiranës dhe Shkupit dhe i kërkohet Komisionit Europian që të miratojë jo më vonë se në muajin qershor, kornizën e fillimit të bisedimeve.

 

“Pasi shqyrtoi raportin e përditësuar të Komisionit të 2 Marsit 2020 mbi përparimin e bërë nga Republika e Shqipërisë, Këshilli mirëpret faktin që vendi ka demonstruar vendosmërinë e tij për të çuar përpara axhendën e reformave në BE dhe ka dhënë rezultate të prekshme e të qëndrueshme, duke përmbushur kushtet e vendosura nga Këshilli i Qershorit të vitit 2018 për hapjen e negociatave të pranimit. Në dritën e përparimit të arritur, Këshilli vendos të hapë negociatat e pranimit me Republikën e Shqipërisë.”

 

Më tej, në dokumentin  i cili do të bisedohet në nivel ministrash më datë 24 mars, i kërkohet Komisionit europian që të vazhdojë të monitorojë progresin dhe pajtueshmërinë në të gjitha fushat që lidhen me hapjen e negociatave.

 

“Këshilli fton Komisionin të paraqesë, jo më vonë se në muajin  qershor, një propozim për një kornizë për negociatat në përputhje me konkluzionet e muajit dhjetor 2006 të Këshillit Europian dhe të integrojë plotësisht qasjen e zgjeruar në procesin e pranimit në përputhje me paragrafin 3. Konferenca e parë ndërqeveritare duhet të mblidhet pa vonesë pas miratimit të kornizës së bisedimeve nga Këshilli.”

 

Tashmë përfaqësuesit e vendeve anëtare pritet të diskutojnë mbi ndryshimet që do të duhet të pësojë ky dokument, sidomos në lidhje me Shqipërinë, të cilës pritet t’i vihen parakushtet e caktuara nga Bundestagu gjerman si dhe ato që mund të vijnë nga vendet e tjera skeptike, përpara ndonjë vendimi të mundshëm.

Hapat e mëtejshëm, nëse arrihet dakordësia e të gjitha vendeve të BE-së për një tekst të përbashkët gjatë kësaj jave dhe fillimit të javës që vjen, janë marrja e një vendimi gjatë Këshillit të çështjeve të përgjithshme të BE-së me 24 mars, në nivel ministrash të çështjeve europiane, e më pas miratimi i këtij vendimi në Samitin e 26 dhe 27 Marsit nga krerët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *