Nga Ervin Sina

Është koha për të treguar veten..është moment për t’i bërë shqiptarët të ëndërrojnë. Shqipëria luan sonte në orën 21:00 në Dortmund sfidën e parë në kampionatin europian, një ndeshje me pritshmëri të jashtëzakonshme për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen. Fakti që përballë do të kemi kampionet e Europës n ë fuqi, si Italia, vend me të cilin kemi një lidhje të fortë, me një afeksion të madh edhe për futbollin e tij, e bën edhe më të veçantë ndeshjen e sotme.

Kombëtarja jonë ndonëse në letër jo favorite do të mbështetet tek prania e jashtëzakonshme e tifozëve kuqezi, dominuese sonte në stadiumin e Dortmundit. Trajneri Silvinjo vlerësoi rivalin, dhe premtoi luftë për pikë.

“Ata janë të vështirë për t’u thyer. Italia ka një anë të fortë, mbrohet shumë mirë, dhe e mban topin me pozicion të qëndrueshëm. Ka lojtarë që vrapojnë shumë dhe kanë shkathtësi të theksuara. Kemi punuar gjashtë apo shtatë ditë, një kohë e mjaftueshme për të ndërtuar një strategji. Ne jemi në një grup shumë të vështirë, është një kompeticion i madh. Por, do të futemi për të garuar dhe për të luftuar për çdo pikë dhe për ta pasur një kampionat të mrekullueshëm”, tha trajneri i kombëtares Silvinjo.

Kapiten Gjimshiti, i cili sonte do të ketë kundërshtar në sulmin italian shokun e ekipit tek Atalanta, Skamaka, tha se rezultati sonte ndaj Italisë mund t’i japë kuqezinjve një motivim ekstra për pjesën tjetër të turneut.

“Sigurisht që të tre ndeshjet janë shumë të rëndësishme, por nëse e nisim me këmbën e mbarë, mund të kemi në ndihmë dhe një motivim më shumë për të ecur përpara. Një rezultat pozitiv ndaj Italisë mund të jetë një shtysë më shumë për ndeshjet e tjera”, shtoi kapiteni i kombëtares Berat Gjimshiti.

Kundër axurrëve në duelin e grupit B, Shqipëria bazën e formacionit do ta ketë nga kualifikueset e fundit. Berisha duket i sigurt në portë, ndërsa në mbrojtje Mitaj, Gjimshiti, Ismajli dhe Hysaj. Në mesfushë diga para mbrojtjes është Asllani dhe Ramadani. I palëvizshëm edhe Nedim Bajrami. Dilema e vetme është nëse do të luajë Seferi apo Qazim Laçi. Ky është një balotazh që mund të ndryshojë edhe vendosjen e ekipit në fushë. Asani ndërkohë i sigurt në krahun e djathtë të sulmit dhe Broja pikë referimi përpara. Ndeshja do të gjykohet nga gjermani Xvajer./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *