Fotografitë e realizuara në Shqipëri në vitin 1921 nga akademiku dhe antropologu zviceran Eugène Pittard janë sjellë për publikun korçar në një ekspozitë të veçantë të çelur në Galerinë e Arteve Digjitale.
Ekspozita prezanton imazhe që dokumentojnë jetën e përditshme, kulturën, veshjet tradicionale dhe portretet e shqiptarëve të fillimshekullit XX, duke sjellë një udhëtim të rrallë në kohë përmes objektivit të studiuesit zviceran.
Kuratori Elton Koritari vlerësoi kontributin e Pittard në dokumentimin e historisë dhe identitetit shqiptar, dhe solli në vëmendje edhe rolin e tij në themelimin e Kryqit të Kuq Shqiptar.
“Ka themeluar kryqin e kuq shqiptar, ka sjellë ndihmat e para në Shqipëri, ambasador i mrekullueshëm por në e kemi trajtuar si artist. Në vizitën e tij të dytë në Shqipëri mori aparat fotografik dhe shkrepi foto. Kemi Korçën, Trenin, Prespën. Kjo është punë dy-vjeçare, dashuria e tij dhe e bashkëshortes së tij ka qenë aq e madhe sa u kthyen si ambasadoret shqiptare jashtë. E shoqja beri një libër “Shqipëria ime”. Ka shënuar thellë dinjitetin shqiptar në atë kohë. Dashuri e pakushtëzuar themeloi pavijonin e Shqipërisë në Gjenevë”, tha Elton Koritari.
Në aktivitet mori pjesë edhe ambasadorja zvicerane në Shqipëri.
“Ekspozita ka sjellë foto të 100 viteve më parë, të një njeriu shumë interesant në Zvicër. Ai ishte antropolog, ishte ambasador, historian. Ai e donte Shqipërine, ndihmoi shumë vendin tuaj. Kjo tregon se ne lidhemi vite më parë bashke, i duam vendet tona e kemi marrëdhënie të mrekullueshme”, tha Ruth Huber, ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri.
Ekspozita sjell për publikun një pjesë të rrallë të memories historike e kulturore shqiptare, përmes objektivit të një studiuesi që e vështroi vendin me interes dhe respekt.





