“Pedagogu i Universitetit të Sporteve u shkarkua me urdhrin direkt të Edi Ramës”. Kështu ka deklaruar kreu i PD Sali Berisha, gjatë një takimi me sindikalistët, teksa ka theksuar se Shqipëria aktualisht ndodhet në situatë dramatike.
Sipas Berishës, rrogëtarët në vendin tonë, shihen me përçmim nga ana e qeverisë.
“Në situatën vërtetë dramatike në të cilën ndodhet sot Shqipëria, punonjësit, mësuesit, mjekët, minatorët, bizneset e vogla, të rinjtë, studentët, pensionistët, qytetarët me ndihmë ekonomike. Është një situatë e pashoqe, e pashembullt në Europë dhe më gjerë. Është një rrokullisje e madhe e gjendjes ekonomike, morale, në raport më dëshpërimin dhe pesimizmin, e mungesës së plotë të prespektivës me këtë qeveri, që siç jeni dëshmitarë vetë, nuk është gjë tjetër veç se një makineri gjigante mashtrimi ndaj qytetarëve shqiptarë, në çdo deklaratë, firmë, fjalë.
Është një makineri gjigante vjedhje e grabitje të shqiptarëve, një plaçkitëse e pashembullt e fondeve publike, e pasurive kombëtare, dhe vjedhje e pashembullt direkt në xhepat e qytetarëve me çmimet.
Ju jeni sindikalist, por ju siguroj se nuk ka pasur regjim kolonial që të ketë shfrytëzuar një popull të kolonizuar, siç e shfrytëzon me egërsi, Edi Rama dhe qeveria e tij, popullin shqiptar. Ju jeni dëshmitarë dhe i njihni, se si pasuritë përrallore të shqiptarëve, të cilat bëhen miliarda euro, me vlerën e tyre janë shndërruar në një mallkim të vërtetë për qytetarët e këtij vendi. Shfrytëzohen në mënyrë të egër nga klientela e qeverisë, kurse shqiptarët përfitojnë prej tyre, asgjë më shumë seç fitonin të kolonizuarit, nga fillimi i këtij shekulli nga shfrytëzimet e kompanive koloniale.
Ju jeni dëshmitarë se si rrogat mësuesve, mjekëve, infermierëve, të policëve, ushtarakëve, minatorëve, e sektorit privat, gjatë këtyre 9 viteve për shkak të mbi dyfishimit të çmimeve të produkteve bazë të jetesës, jo që nuk janë rritur, por sot të paktën 30 % më të ulëta se në vitin 2013.
Ju jeni dëshmitarë se çfarë përçmimi, qëllimi përçmues mbahet sot ndaj punonjësve në këtë vend, ndaj rrogëtarëve të këtij vendi. Çfarë satre e vërtetë qëndron mbi qafën e tyre me çmimet.
Çfarë mashtrimesh të mëdha bëhen. Firma për sipërmarrje fantazëm që shkojnë në 420 milionë euro, vendosen palë, palë dhe ndërmarrjet nuk ekzistojnë askund. Asnjë incenerator nuk është, tani pas 5 vitesh. Edhe i Elbasanit është jashtë funksionit. Janë me qindra punonjës që janë nxjerrë jashtë sistemeve me kritere strikte politike, jashtë çdo procedure dhe askund nuk gjejnë dot të drejtën e tyre.
Sot një pedagog në Universitetin e Sporteve, shkarkohet edhe pse Senati dhe Komisioni Etik voton kundër shkarkimit të tij, rektori tiran zbaton urdhrin e Ramës dhe e nxjerr nga sistemi. Raste të tilla janë me qindra. Nuk ka më të pasigurtë në botë se sa punonjësit në Shqipëri. Pak ditë më parë, solla një shembull, një mësuese model, 30 vite mësuese në shkollë të mesme dhe tani ja merr orët drejtori dhe i thonë ik në shpi. Nuk ndodh kund, nuk mund të ndodhë, nuk ka ligj që lejon një akt të tillë, të flakësh punonjësit si lecka, pasi kanë shkrirë jetën e tyre në të mirë të shoqërisë dhe profesionit”, tha Berisha.