Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Presidentit Amerikan Donald Trump që Shqipëria të bëhet anëtare e Bordit të Paqes për rindërtimin e Gazës.
Rama: Në një kohë kur konfliktet dhe përçarja dominojnë shumë shpesh panoramën ndërkombëtare, paqja duhet të formësohet aktivisht e jo të pritet pasivisht a diskutohet pafundësisht nëpër forume politike, teksa përreth globit jetë të pafajshme humbasin kotësisht çdo minutë. Bordi i Paqes shfaqet si mishërimi i kësaj domosdoshmërie urgjente.
Në një reagim në rrjetin social X, kreu i qeverisë thekson se ky bord duhet të veprojë në terren, pasi nuk është koha për të bërë vetëm deklarata.
Rama: Kur filtrohet pafundësisht përmes shtresave të procedurave, paqja shumë shpesh mbërrin tepër vonë; kjo nismë mishëron me plot të drejtë kuptimin se koha, qartësia e mandatit dhe përgjegjësia personale në nivelin më të lartë janë vetë instrumente të paqes.
Dhe një herë, Rama sqaroi linjën në të cilën qëndron Shqipëria, si një aleate e SHBA.
Rama: Në këtë frymë të qëndrueshme partneriteti, dëshiroj të ritheksoj se Republika e Shqipërisë qëndron me vendosmëri përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të gjitha përpjekjet për promovimin e paqes, sigurisë dhe angazhimit konstruktiv global,
Tashmë aderimi i Shqipërisë për të marrë pjesë në Bordin e Paqes duhet të kalojë për miratim në Kuvendin e Shqipërisë.





