Subscribe

Tetë dyer të vjetra që simbolizojnë traditën dhe mikpritjen e shqiptarëve, janë çelur në pavijonin e  dedikuar për Shqipërinë në Bienalen e Arkitekturës në Venecia. Vizion Plus rrugëtoi për të sjellë pak në qytetin mbi ujë, për të dokumentuar pjesëmarrjen e Shqipërisë për të pestin vit radhazi në një bienale ndërkombëtare si kjo e Venecias.

 

Dyer të vjetra të familjeve tiranase dhe 3600 imazhe rrëfejnë në një hapësirë relativisht të vogël historine e një kryeqyteti që po zhvillohet çdo ditë e më shumë.

 

Në çeljen e pavijonit shqiptar, interesi për Hapësirën Zero ishte i madh. Arkitektë e grupe të interesuarish u dyndën për të kuptuar më shumë mbi këtë vend të vogël për të cilin po flitet gjithnjë e më shumë.

 

“Kam jetuar në Tiranë disa vite e mund të them se nuk mbushem së ndenjuri në këtë pavijon pasi më kujton çdo gjë të bukur që kam jetuar në Shqipëri. Është rrëfyer në këtë instilacion shumë mikpritje dhe shumë jetë. Përmes dyerve gjej mikpritjen dhe njerëzit e mrekullueshëm, ndërsa përmes fotove fytyrën dhe zhurmën e një qyteti që po zhvillohet.”

 

Bienalja e Arkitekturës në Venecia është një nga ngjarjet më të mëdha në jetën gjallëruese të këtij qyteti magjik. Përfaqësues nga e gjithë bota kanë mbërritur vetëm për magjinë e Arsenale-s ku ekspozohen instilacione e vepra arti nga vendet e vogla, por edhe për të shëtitur në Giardini që është një qytet më vete ku shtete të mëdha projektojnë godina, oaze, e mrekulli që pritet të vihen në zbatim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *