Kombëtarja shqiptare luan sonte në mbrëmje ndeshjen e trete të eleminatoreve për botërorin e 2022. Kuqezinjte zbresin në fushë në transfertë kundër San Marinos me objektivin e vetëm, marrjen e tre pikeve që do të qetësonin përkohësisht ambjentin e kombetares, pas humbjes jo surprize kundër Anglisë.

Seanca e fundit stërvitore e të martës në mbremje, e drejtuar nga trajneri Edi Reja e zhvilluar në stadiumin ku do të luhet edhe ndeshja, ishte me ngarkesë të plotë dhe i shërbeu teknikut të kombëtares për të krijuar një ide edhe më të qartë mbi formacionin që do të zbresë sonte në fushë.

Një formacion që kondicionohet disi edhe nga problemet me disa lojtarë që nuk janë të gatshëm, të cilët më së shumti janë lojtarë titullarë. Kështu Reja nuk do të ketë të gatshëm MarashKumbullen, Ardian Ismailin dhe Florian Kamberin të dëmtuar. Memushaj ka pësuar një dëmtim në stërvitjen  e fundit dhe është në dyshim. Roshi është rikuperuar, por nuk dihet nëse mund të nisë nga fillimi. Gjasula është i pezulluar, ndërsa Nedim Bajrami nuk ka marrë ok nga FIFA për t’u aktivizuar. Për pasojë, formacioni i skemës tradicionale 3-5-2 mund të ketë goxha ndryshime, ku në porte mund të luajë Strakosha, në mbrojtje Hysaj do tërhiqet pas, ku do jetë përkrah Gjimshitit dhe Ajetit në mbrojtje.

Në mesfushë i rezistojnë lisës anti-Angli vetëm Bare dhe Laci, ndërsa futen Lenjani dhe Roshi nga krahet dhe Cokaj në qëndër. Në sulm, i sigurt është Cikalleshi, e me gjasë në krah të tij do të jetë Manaj që ka avantazh ndaj Uzunit. Kundër San Marinos, Shqipëria ka luajtur dy herë, një miqësore dhe një eleminatore, ku në të dyja rastet ka fituar 3 me 0. Aktualisht, Shqipëria është e katërta në grup me 3 pikë pas vetëm një fitoreje kundër Andorrës. Në takimet e tjera në grup, Anglia kryesuese pret Poloninë, ndërsa Hungaria luan ndaj Andorrës në transferte.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *