Shqipëria po kthehet në një korridor zhvillimi në të gjithë sektorët, prandaj dhe kjo është koha e duhur për investime të huaja.
I pranishëm në “Forumin Ekonomik të Tiranës”, kryeministri Edi Rama u bëri thirrje sipërmarrësve të huaj që zhvillojnë idetë e tyre në vendin tonë, pasi sipas tij kjo është koha e duhur.
“Ne po e kthejmë vendin tonë në një korridor zhvillimi nga veriu në jug, aeroporte dhe porte të reja po ngrihen. Shqipëria nuk ka qenë kurrë më afër dhe dua të përfitoj nga kjo mundësi që më jepet këtu sot që gjithashtu të them edhe disa fjalë për investitorët. Ata duhet të kuptojnë të gjithë se momenti është tani, dhe Shqipëria është gati për investime të cilësisë së lartë dhe afatgjata. Ne mirëpresim partneritete që ofrojnë dijen, ekspertët, inovacionin”, tha Rama.
Kreu i qeverisë përsëriti dhe njëherë objektivin për anëtarësim në BE në vitin 2030.
“Negociatat janë të hapura, kapitujt po ecin përpara dhe objektivi ynë është realist dhe i arritshëm, patjetër me një kusht: që Europa të mbajë premtimin dhe që së bashku ne t’i përmbahemi kalendarit për të cilin jemi marrë vesh bashkërisht. Anëtarësimi i Shqipërisë në 2030 është absolutisht i mundshëm dhe nuk jemi këtu për të pritur për Europën, por që ta ndërtojmë Europën këtu dhe prandaj ne jemi kaq të zellshëm për të ndjekur këtë rrugëtim drejt Europës”, tha Rama.
Ai theksoi se me përparimin e bërë përgjatë viteve, Shqipëria tashmë shihet me një qasje tjetër nga ndërkombëtarët.
“Shqipëria nuk shihet më si një cep i largët në hartë, por si një vend ku gjërat ndodhin, ku reformat nuk janë premtime, por praktika dhe ku shndërrimet, transformimet nuk janë slogane, por fakte të përditshme”, tha shefi i qeverisë.
Investimet e huaja në vendin tonë, sipas shifrave të dhëna nga qeveria kanë kapur shifrën e 1.58 miliardë eurove gjatë vitit 2024.





