Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur në pasditen e së hënës se qytetarët e Kosovës do të furnizohen me energji elektrike pa ndërprerje. Përmes një postimi në Facebook, ministria ka thënë se reduktimet e paralajmëruara janë evituar pas bashkëpunimit me Shqipërinë.

 

Ministria po ashtu ka paralajmëruar edhe bashkëpunime tjera “për të adresuar krizën energjetike”. Furnizimin e rregullt me rrymë e ka konfirmuar edhe Qeveria e Kosovës.

 

Në orët e vonë të së dielës, Kompania Kosovare për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike (KEDS), ka njoftuar se qytetarët e Kosovës do të përballeshin me reduktime nga 15 gushti. Reduktimet, sipas KEDS-it, do të nisnin nga ora 08:00 sipas organizimit: gjashtë orë me rrymë dhe dy pa të.

 

KEDS-i e ka arsyetuar këtë vendim me çmimet e larta për blerje të rrymës në tregjet ndërkombëtare. Më 9 gusht KEDS-i ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) të shtrenjtojë tarifat e rrymës. Muajin e kaluar, KEDS po ashtu ka paralajmëruar një dimër “shumë të pasigurt” për shkak të krizës energjetike që ka prekur Evropën.

 

Edhe vitin e kaluar, Kosova është prekur nga kriza energjetike, andaj konsumatorët janë përballur me reduktime dhe shtrenjtim të tarifave. Dy termocentralet në Obiliq, Kosova A dhe B mund të prodhojnë energji deri në 800 megavat në orë, kurse nevojat e konsumatorëve, gjatë dimrit, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë.

 

Në Kosovë, rreth 94 për qind e energjisë prodhohet nga djegia e thëngjillit, ndërsa rreth 6 nga burimet e ripërtërishme sikurse hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet diellore./REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *